8 Marsi është jo vetëm një ditë feste, por edhe një moment reflektimi për kurajon dhe punën e palodhur të grave dhe vajzave shqiptarë. Ndaj, me rastin e 8 Marsit, kryebashkiaku, Erion Veliaj zgjodhi një urim krejt ndryshe për gratë dhe vajzat e Bashkisë së Tiranës, duke iu bashkuar nismës së tyre për të mbjellë pemë në liqenin e Farkës.
“Dua të falenderoj me gjithë zemër të gjitha zonjat e palodhura që punojnë për Bashkinë e Tiranës. I japin shumë jetë, pasion dhe dinjitet qytetit tonë. Dua t’i falenderoj edhe për faktin se edhe pse 8 marsi filloi si protestë, e mandej u kthye në festë, gocat e Bashkisë së Tiranës zgjodhën një mëngjes pune, për t’i lënë Tiranës një pajë të jashtëzakonshme, më shumë gjelbërim dhe oksigjen në liqenin e Farkës. Sot kam vetëm mirënjohje dhe vetëm falenderime për të gjitha zonjat dhe zonjushat që punojnë për bashkinë tonë, duke filluar nga ato që merren me pastrimin, deri tek ato që janë në nivelin më të lartë, nënkryetare apo anëtare të këshillit bashkiak, apo drejtuese të shumë prej agjencive tona”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se është inkurajues fakti që Shqipëria është një nga pesë vendet e para në botë për respektimin e barazisë gjinore. Ai apeloi se ky 8 mars duhet të jetë edhe një moment reflektimi për burrat, për t’i thënë stop dhunës dhe diskriminimit gjinor.
“Sikur qyteti dhe Shqipëria të kishin më shumë zonja që drejtonin punët për t’i çuar përpara, do ishim akoma më mirë. Të qenit një nga pesë vendet e para në botë për barazinë gjinore është shumë inkurajuese, megjithatë kjo nuk mjafton kur vjen puna tek shumë prej historive të shëmtuara që dëgjojmë. Shpresoj shumë që 8 Marsi më shumë se festë për gratë, të jetë një reflektim për burrat, për ata burra që ndoshta janë rritur keq, që për një arsye apo një tjetër mund të kenë problemet e tyre, por kjo nuk justifikon kurrë dhunën dhe diskriminimin”, theksoi ai.
Veliaj nënvizoi se në një shoqëri që aspiron të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, nuk ka vend kultura e dhunës. Duke u ndalur tek investimet që janë bërë për parkun Farkës, kryebashkiaku tha se kjo hapësirë, nga një zonë djerrë dhe e paaksesueshme, sot është hapur për qytetarët. “Është bërë një hapësirë fantastike, e cila frekuentohet nga ata që vrapojnë, nga familjarë, sigurisht me t’u hapur koha do jetë akoma një hapësirë më e bukur. Ne do të organizojmë disa aktivitete sportive, duke filluar nga Triathlona, është rikthyer jeta, janë rikthyer shpendët, janë rikthyer peshqit, ndaj jam shumë i lumtur që në një ditë ku ne kujtojmë kontributin fantastik që japin zonjat, zonjushat, gocat e këtij qyteti, i dhamë diçka mbrapsht Tiranës”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Investimet në Parkun e Farkës do të vijojnë edhe këtë vit, ku shumë shpejt do të nisë puna për pjesën e dytë të pistës së vrapimit dhe pedonales së liqenit të Farkës. “Parku i parë, ai i liqenit të Tiranës, është tashmë i mbingarkuar. Ky është një lajm i mirë, do të thotë se po përdoret jashtëzakonisht, por ka nevojë për një valë shkarkimi. Shpresoj shumë që me të përfunduar edhe pjesa tjetër e pedonales, për të gjithë zonën e Njësisë 1, Njësisë 2 dhe zonës së Farkës, ky liqen mund të jetë realisht ajo valë shkarkimi. Jetuam 100 vite vetëm me një park, besoj që është në dinjitetin e këtij qyteti që në 100-vjetorin e dytë, të shekullit të dytë, të kemi një tjetër park të madh, si Parku i Liqenit të Tiranës”, nënvizoi Veliaj.
Në këtë 8 mars, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh për sensibilizimin e shoqërisë kundër dhunës ndaj grave dhe diskriminimit gjinor.