Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha në emisionin “Kjo Javë” në News24, se deri më tani Shqipëria vazhdon të jetë e paprekur nga koronavirusi.
“Në të gjitha testimet, nuk na ka rezultuar asnjë rast pozitiv. për momentin, nuk kemi raste të identifikuara në vendin tonë”, tha Bino.
Më tej, ajo deklaroi se sot po kryhen analizat për dy persona të dyshuar si të infektuar me virusin vdekjeprurës.
Pjesë nga intervista:
Sa analiza bëni çdo ditë?
Gjithsej janë kryer 58 testime, brenda një muaji. Ne kryejmë shumë testime, se një pjesë e mirë e mostrave vijnë dhe për grip. Pra, ne mund të kryejmë 50-70 në ditë, që lidhet dhe me viroza të tjera. Për koronavirusin kemi bërë 4-5.
Pse kaq pak?
Në varësi të kërkesës dhe identifikimit të rastit. Ne presim atë që dyshojnë mjekët. Ne nuk bëjmë ekzaminime, por tani po kërkojmë më tepër raste. Kemi ndërruar përkufizimin e rastit. Që nga e premtja që shkoi, OBSH dhe Qendra Evropiane e Sëmundjeve kanë zgjeruar gamën, pse duhen testuar pacientët. Pra, ne tani po testojmë edhe të sëmurët, që kanë sëmundje të rënda respiratore, për të cilat nuk ka ndonjë shpjegim tjetër, por që nuk kanë pasur ndonjë histori udhëtimi. Kjo zgjeron gamën e testimit. Deri tani kemi testuar persona me shenja respiratore dhe që kanë pasur histori udhëtimi.
Ju kryeni 4-5 raste në ditë…
Ne kryejmë deri në 200 ekzaminime në ditë.
Te 127 mjekët japin shifra të telefonave mbi 1 mijë në ditë…
Shumë mirë që marrin 127, sepse ka një koordinim shumë të mirë, pra njerëzit dinë se ku të drejtohen. Aty kryhet një filtër, që quhet triazhi telefonik, dhe ata pastaj mund ta konsultojnë rastin qoftë me ne në ISHP, qoftë me shërbimin e sëmundjeve infektive, qoftë me mjekun e familjes.
Aktualisht, sa analiza do të kryhen apo po kryhen sot?
Deri tani janë 2 që kanë ardhur, do presim që të kryejmë sa më shumë ekzaminime. Deri tani kemi 2 raste të dyshuar. 60% e rasteve në përgjithësi kanë qenë nga Tirana, por kemi pasur edhe nga Durrësi, një pjesë e madhe, nga Vlora, Shkodra, Elbasani. Janë rate që kanë pasur ose histori me Kinën në fillim, ose me Italinë, kryesisht me veriun, por edhe me Romën. Transmetim komunitar për momentin kemi në shumë vende, kemi në Itali, në Francë, në Angli, Kroaci. /e.s/