Koronavirusi vijon të përhapet frikshëm në mbarë botën. Gjiganti britanik “The Guardian” shkruan sot se ekuipazhi dhe pasagjerët nga më shumë se 50 shtete të botës kanë ngelur të bllokuar në një anije të ankoruar në San Francisko, ndërsa disa persona të testuar në bord kanë rezultuar pozitiv me virusin vdekjeprurës.
Lajmin e ka konfirmuar zv. Presidenti amerikan, Mike Pence, dhe fati i më shumë se 3.500 pasagjerëve dhe ekuipazhit të anijes mbetet ende i paqartë. Pence tha se ishin regjistruar 21 raste pozitive, mes tyre 19 janë anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë.
Këta persona “do të duhet të karantinohen. Ata që do të kërkojnë ndihmë mjekësore do ta marrin atë”, tha Pence duke iu bërë thirrje amerikanëve të moshuar që të marrin në konsideratë kujdesin dhe të mos planifikojnë udhëtime gjatë kohës që sic e quajti ai, përbën krizë.
Ka pak detaje se ku do të çohen pasagjerët që do të karantinohen.
Në anije ka 2.422 udhëtare dhe 1.111 persona që janë pjesë e ekuipazhit, me më shumë se 140 britanikë dhe katër australianë mes tyre, raporton The Guardian.
Për rastin ka reaguar edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka pranuar qartësisht shqetësimin e tij për shpërthimin e koronavirusit në SHBA duke thënë për rastet e të prekurve brenda anijes: “Më mirë të rrinë aty ku janë”.
“Nuk kam nevojë të kem dyfishim shifrash të rasteve, për shkak të një anije që nuk ishte për faji tonë”, tha ai, citon The Guardian.