Shqipëria në arkivat e STASI-t gjerman dhe mënyra se si operonte shërbimi sekret në vendin tonë gjatë diktaturës mund të zbulohen përmes dokumenteve, që gjenden në arkivat e shërbimit sekret të Republikës Demokratike Gjermane, i kthyer në Ministri të Sigurimit të Shtetit e që njihet si ndër agjencitë inteligjente më operative.
Në një intervistë për TemA TV, politologu gjerman, Dr. Helmut Müeller-Enbergs, i cili ka bërë edhe një studim në lidhje me këtë çështje, rrëfen për mënyrën se si operonte Sigurimi i Shtetit në ato vite në Gjermani dhe në vendet e Europës Lindore, ndërsa ndalet në mënyrë të veçantë në rolin e femrave në shërbimet operative sekrete.
Müeller-Enbergs thekson megjithatë se në lidhje me shërbimet sekrete në Shqipëri, informacionet më të shumta mund të merren nga arkivat bullgare.
– Ju keni shkruar shumë mbi STASI-n dhe në një prej studimeve tuaja keni përfshirë edhe veprimtarinë e shërbimit gjerman në Shqipëri. Cili ishte interesi i STASI-t për vendin tonë?
STASI si institucion i Republikës Demokratike Gjermane ishte i interesuar për Shqipërinë në kontekstin e Kinës, sepse Kina ishte kërcënimi. Kjo situatë në të cilën ishte Shqipëria: e afërt me Kinën, ishte problem për Rusinë, për vendet e Europës Lindore, si edhe për Republikën Demokratike Gjermane RDGJ. Për Republikën Demokrate Gjermane, gjithashtu, sepse partia komuniste në Gjermaninë Perëndimore ishte e orientuar drejt Enver Hoxhës dhe kishin si qendër kontakti ambasadën shqiptare në Berlin. Kështu që STASI kishte interes të mësonte çfarë ndodhte në Shqipëri. Diku në fund të viteve ’80-të mësohet se për Shqipërinë kanë shfaqur interes bashkëpunëtorë informalë, të cilët diskutonin të bënin një udhetim “turistik” në Shqipëri, me qëllime kërkimore. Shqipëria ekonomikisht nuk kishte interes. Po si pikë strategjikisht ushtarake?! Mbase Shqipëria nuk ishte problem direkt për Bashkimin Sovjetik, por përbënte problem, pasi me Shqipërinë në anën e saj, ishte Kina ajo që fitonte tashmë një pikë mbështetjeje në Europë.
– Çfarë ka arkivi gjerman në lidhje me Shqipërinë?!
Arkivat e STASI-T kanë shumë dokumente për Shqipërinë dhe për situatën ekonomiko-sociale. Informacioni vinte nga shërbimer e STASI-t të Republikës Demokratike Gjermane në Tiranë. Ata kishin një qendër informacioni. Vendet e Europës Lindore dhe Bashkimi Sovjetik, si edhe RDGJ, mendonin që duke humbur Shqipërinë, ajo do të shndërrohej në armik të vërtetë. Shqipëria ishte një vend i varfër nën diktaturën staliniste dhe mund të shkonte ose drejt Perëndimit, ose të shkonte drejt një afrimi më të madh me Kinën, sic kish treguar tashmë. Kështu që, ata duhej të mesonin se çfarë ndodhte në të vërtetë në Shqipëri, cilët ishin interesat e Shqipërisë.
–Cilat ishin mënyrat e depërtimit në Shqipëri dhe cilat janë mënyrat me të cilat STASI bashkëpunonte? Deri në çfarë niveli?
Mendoj se STASI nuk kishte “agjentë” në Shqipëri. Ishin kryesisht dy lloje shërbimesh në Tiranë. Lloji i parë ishte i atashuar me ambasadën në Tiranë dhe si të tillë kishin kontakte me qytetarë shqiptarë dhe të dytët ishin disa specialistë, të cilët kishin punë ekonomike në Shqipëri dhe që mblidhnin informacione për çfarë ndodhte.
– Cilët janë dokumentet më interesante që mund të keni zbuluar dhe që sjellin më tepër informacion në këtë drejtim?
Interesante ishte se Shqipëria kishte kontakte me politikanë të Gjermanisë Perëndimore, siç ishte politikani i mirënjohur Franz Josef Strauss. Përmes spiunazhit, RDGJ donte të mësonte se çfarë diskutohej mes liderave të diktaturës shqiptare dhe politikanëve të Gjermanisë Perëndimore.
– Ka të dhëna që STASI të ketë patur rol në spastrimet politike në Shqipëri apo informacion mbi to?
Shqipëria ishte një rast interesant ideologjik dhe politik, por jo në qendër të interesit. Sigurisht, vende si Polonia, Jugosllavia, që ishin shtete të Europës Lindore kishin më shumë peshë se Shqipëria në marrëdhëniet me RDGJ-në. Gjithsesi, STASI e mbante një sy nga Shqipëria.
– Në këto arkiva a ka dokumente për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun?
Dokumente ka, por nuk vijnë nga shteti shqiptar, por vetëm informacion i mbledhur nga njerëz që e njohin përmbajtjen e tyre, aparatin në Shqipëri. Kështu që kemi disa informacione të tërthorta për udhëheqësit dhe njerëz të tjerë në aparatin shtetëror.
– Si e ka përcjellë STASI hapjen e Shqipërisë me Republikën federale në 1984?
Nuk di ç’të them konkretisht. Megjithatë mund të them se informacioni përfundon përafërsisht rreth vitit 1987-1988. Nuk kemi të dhëna pas 1989 dhe më vonë, sepse dokumentet për këtë periudhë janë shkatërruar gjatë revolucionit.
– Cili ishte roli i grave në shërbimet sekrete dhe si është përdorur femra nga shërbimet sekrete lindore?
Tingëllon bukur: gratë si sipune të kohës, por në fakt në aparatine e sigurimit shumica dërrmuese e Oficerëve operativë janë kryesisht burra dhe vetëm 25-30 % ishin gra. Shumica kryenin shërbime sekondare. Nga ana tjetër, spiunët apo agjentët ishin një sistem jozyrtar. Afërsisht gjysma e shoqërisë punonin për shërbimin e sigurimit. Shumica e grave ishin më prudente se burrat, më të drejtpërdrejta. Nuk ka përgjigje se pse, por mendoj se ishin më mirë se burrat.
Ndërkohë në Gjermaninë Perëndimore kishte më shumë femra në nivele të larta të drejtimit të shërbimeve të sigurimit. Për femra që të punonin për RDGJ në Shqipëri, nuk kam dëgjuar. Por nga ana tjetër, ambasada e RDGJ në Shqipëri ishte shumë e vogël.
– Keni të dhëna nëse gratë janë përdorur nga shërbimi sekret në Shqipëri?
Jo. Ne vërtet nuk kemi informacion për diçka të tillë, por ishte e njëjta gjë në Bullgari, Jugosllavi, Rumani, ku ne e dimë që 25-30 përqind e aparatit të shërbimit ishin gra: sekretare dhe në mjekësi, poetet, por nuk kishte gra që ishin oficere, që punonin me agjentët. Ishte një shërbim burrash.
– Po Shqipëria a kishte shërbime të zbulimit në vendet e tjera?
Jo shumë në këtë kohë, pasi duhet të kemi parsysh se Shqipëria ishte një shoqëri dhe një shtet shumë i mbyllur. Shumë pak njerëz nga Shqipëria arrrinin të dilnin jashtë në shtetet e tjera shumë afër me RDGJ. Shqipëria ishte shumë e varfër dhe një projekt i tillë i gjerë dhe i komplikuar i mbledhjes së informaciont ishte i shtrenjtë dhe nuk mund ta ofronte pagesën e operativëve. Unë nuk kam mundur të gjej dokumente në lidhje me këtë, por di që shërbimet bullgare ishin ata që ishin më të angazhuar kundër shërbimeve shqiptare. Dhe jam i sigurt që në dosjet e tyre do të gjeni përgjigjen e kësaj, si edhe mjaft gjëra interesante në lidhje me shërbimet shqiptare. Arkivat e Bullgarisë janë të hapura. Ishte pak a shumë kështu: që gjermanët lindorë punonin së shumti kundër gjermanëve perëndimorë në shërbimet e inteligjencës. Dhe shërbimet bullgare kishin interesat e tyre rajonalë dhe si të tilla kishin në fokus dhe Shqipërinë, ndaj dhe informacionet më të shumta janë nga Bullgaria.
– Ka shumë dokumente gjermane në lidhje me shërbimet e sigurimit në Shqipëri? Ku mund të kërkojmë për këto dokumente?
Ministria e Sigurimit Shtetëror, e njohur si STASI në RDGJ kishte 22 departamente të fokusuara në aspekte të veçanta. Një department ishte i fokusuar në informacionet me karakter ushtarak. Një department i dytë ishte i fokusuar në kundërspiunazh. Dhë këtu përshembull merrej me mënyrat e kundërzbulimit, sesi shërbimet shqiptare spiunonin vendet e tjera. Dhe sigurisht qendra ishte ambasada shqiptare në Berlin. STASI mbante nën vëzhgim çdo lëvizje të diplomatëve shqiptarë në Berlin. Kush hynte, kush dilte, të gjithë llojet e kontakteve. Jam i sigurt që secili nga këto 22 departamente duhet të ketë disa dokumente në lidhje me Shqipërinë. Duhet kuptuar që kërkimet duhen fokusuar sipas interesave kryesore të STASI-t në atë kohë. Përshembull, për të parë a kishte interes për zhvillimet në industrinë e turizmit atëherë, kontrolloni le të themi departamentin nr.6, që ishte departamenti përkatës. Por unë personalisht nuk besoj se ka materiale me bollëk për Shqipërinë.
– Si e shihni situatën në Shqipëri në lidhje me hapjen e dosjeve dhe dokumenteve të Sigurimit të Shtetit?
Unë sugjeroj të hapni dosjet dhe të shikoni çfarë shkruhet për Shqipërinë në arkivën e STASI-t dhe çfarë është shënuar në arkivat e Bashkimit Sovjetik, në Poloni dhe në Bullgari dhe mblidhini të gjithë këto dokumente, për të ndërtuar fotografinë e plotë të bashkëpunimit. Mendoj se vëmendje e veçantë nuk duhet t’i kushtohet cilët njerëz spiunuan në Shqipëri, por çfarë bën sens për shoqërinë dhe në bashkëpunim me vende te Europës Lindore. Shqipëria është një shtet i vogël, që ka qenë i izoluar dhe mund të ndihmojë të themi kjo mënyrë për të mësuar çfarë historie ka Shqipëria.
Bisedoi: Blerina Goce