Nga Arben Ahmetaj
Sot dua të ndaj me ju dhe mbi të gjitha, me qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar që humbën shtëpitë e tyre dhe sot janë strehuar në banesa me qira apo ende në çadra, një lajm të rëndësishëm që përfaqëson një hap domethënës, konkret, në procesin e Rindërtimit.
Jemi gati të nisim në terren nga puna për rindërtimin e 3,400 shtëpive të para individuale, të cilat do të financohen nga Fondi i Rindërtimit.
Sot Qeveria ka kaluar vendimin për miratimin e fondit limit prej 8.7 miliardë lekë, ose rreth 73 milionë euro, i cili do t’i kalojë dy njësive zbatuese FSHZH dhe Bashkia Tiranë.
Efekti Financiar total prej 8,7 miliardw lekë përballohet nga zëri “Fondi për Rindërtim” i miratuar në buxhetin e vitit 2020 dhe përdoret nga njësitë zbatuese përkatësisht:
1.Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit në masën 6,528,564,252 lekë në zërin ‘shpenzime kapitale me financim të brendshëm”.
Janë 2.500 shtëpi indviduale që do të ndërtohen nga FSHZH. Sot i kemi tw sakta shifrat, 683 shtëpi individuale 1+1, 972 shtëpi individuale 1+2, 845 shtëpi individuale 1+3).
2.Për Bashkinë e Tiranës në masën 2,207,854,893 lekë në zërin ‘shpenzime kapitale me financim të brendshëm”.
Bëhet fjalë për 889 shtëpi individule që do të ndërtohen nga bashkia Tiranë me këtë fond, përkatësisht 312 banesa me tipoligjinw 1+1; 334 banesa me tipoligjinw 2+1 dhe 243 banesa 3+1.
Fondet e mbetura nw procesin e prokurimit, sigurisht që do të rikthehen në buxhetin e shtetit në Fondin për Rindërtim.
Dua të theksoj gjithashtu dhe të informoj të gjithë të interesuarit duke filluar që nga sipërmarrjet që kanë interes të marrin pjesë, duke vazhduar me Dhomat e Tregtisë, qoftë shqiptare, të kategorive të ndryshme apo sektorëve të ndryshëm, qoftë Dhomat e huaja të biznesit, që në fillim të javës së ardhshme, shpallet gara ndërkombëtare nga dy njësitë zbatuese FSHZH deh Bashkia e Tiranës për ndërtimin e 3400 shtëpive individuale.
Kompanitë e interesuara mund të gjejnë informacionin e nevojshëm në webiste e Ministrisë së Shtetit për Rindërtim www.rindertimi.gov.al apo dhe në faqen e APP www.app.gov.al.
Në të njëjtën kohë, qoftë Bashkia Tiranë, qoftë Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të bëjnë njoftimet publike në bazë të ligjit por gjithashtu do të ketë njoftime dhe në FT për të ftuar kompanitë ndërkombëtare që të marrin pjesë në procesin e rindërtimit të shtëpive individuale.
Unë personalisht do t’i njoftoj në ditën zyrtare të hapjes së procesit, donatorët, ambasadat e huaja në tiranë , dhomat e tregtisë të huaja dhe vendase, shoqatat e biznesit për fillimin e procesit të prokurimit.
Ndërkohë që vlerësimi i thelluar vazhdon. Sipas parashikimit Instituti i Ndërtimit e përfundon procesin në 30 Mars dhe Bashkia Tiranë në 23 Prill.
Pasi të kemi shifrat finale nga vlerësimi i thelluar, do të ketë një prokurim të dytë për pjesën e mbetur.
Ndërkohë dua të ndaj me ju që në terren bashkitë në gjithë zonë e dëmtuar nga tërmeti kanë filluar vlerësimin e dosjeve individuale të familjeve në bazë të ligjit, të dala nga platforma e aplikimit që vazhdoi gati një muaj.
Banesat individuale dua ta theksoj, do të rindërtohen sipas modeleve të prezantuara këto ditë, me teknologji modulare, mbështetur në parimin “Rindërtojmë sërish, rindërtojmë më mirë”, parim që e kemi të bashkë-vendosur me donatorët, sipas standardeve më të mira të ndërtimit EUROCODE 8, rezistente ndaj tërmeti deri në 9 ballë, stuhive dhe përmbytjeve, një teknologji që kursen energji deri në 30%, me një përllogaritje që kemi bërë është rreth 150 mijë lekë në vit kursim për çdo familje dhe mbi të gjitha, që kërkon një kohë të shkurtër ndërtimi vetëm 30 ditë.
Ne jemi angazhuar, sikurse edhe Kryeministri e ka deklaruar publikisht që rreth 4 mijë familje në 31 dhjetor ta presin vitin e ri 2021 në shtëpitë e reja.
Po e theksoj sërish, 4 mijë familje që do të banojnë në banesat e reja individuale sipas modeleve që kemi prezantuar, do ta festojnë vitin e ri 2021 në shtëpitë e tyre të reja.
Dhe dua të theksoj dhe një fjalë çelës që ka të bëjë me atë që kjo qeveri, kjo maxhorancë ka në themel të vetes, pra solidaritetin dhe kujdesin për qytetarët, shtëpitë janë si rrallëkund dhe në vende më të pasur se Shqipëria, falas.
Megjithëse është një program unik ne jemi të bindur që jemi duke bërë gjënë e duhur, për qytetarët shqiptarë në nevojë, për shkak të asaj fatkeqësie natyrore të 26 nëntorit.
Ndërkohë puna vazhdon. Ne po prezantojmë e planet e detyruara vendore. Kemi prezantuar Thumanën. Nesër prezantojmë Shijakun dhe do të vazhdojmë gjatë gjithë kohës deri kur planet të mbarojnë në 31 mars dhe ndërkohë të kryejmë në nivel vendor por dhe qendror, konsultimet me qytetarët dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të viti të kaluar.
Ndërkohë, në referencë të plotë të atij parimi të rëndësishëm të transparencës, dy ditë më parë bëmë takimin e Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, ku për herë të parë u ftuan si anëtarë me të drejta të plota në Komision donatorët, SHBA, Komisioni Europian, Turqia, UNDP, UN, Banka Botërore dhe e kemi lënë pjesëmarrjen të hapur për çdo donator që do të shprehë dëshirën të jetë aty dhe shumë shpejt do të kemi dhe ekspertë të KE që do t’i atashohen Sekretariatit të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit. Në nivel lokal kemi rënë dakord me UNDP, pra në nivelin e Bashkive, që transparenca dhe konsultimi të mbështetet nga UNDP.
Siç e shihni, Rindërtimi ka hyrë në një fazë të re, ku në terren, do të shohim shumë shpejt pas procesit të prokurimit nga dy njësitë zbatuese hapat konkrete, ndërtim shtëpish individuale dhe brenda këtij viti do të jenë hapur të gjithë kantieret e zonave të reja për zhvillim, në gjithë terrenin e dëmtuar ku planet e detyruara vendore po vijnë me ata koncept të ri për zhvillimin urban dhe ekonomik për gjeneratën që vjen.
*Fjala e Ministrit të Shtetit për Rindërtim z. Arben Ahmetaj