Është parë shpesh duke interpretuar role djemsh të vështirë e heronjsh në filma aksioni. Me dy filmat e tij “Taken” dhe “Taken 2” ishte kritikuar se i hyri në hak imazhit të shqiptarëve përmes portretizimit të tyre si kriminelë.
Por aktori Liam Neeson do të përfshihet sërish në një film që vendoset në një kontekst shqiptar. Prej dy vjetësh emri i tij është lakuar si aktori kryesor në filmin thriller “Charlie Johnson in the Flames”, nën regjinë e Tarik Salehit.
Ndonëse ende në fazën e paraproduksionit, ky projekt bazohet në përshtatjen e romanit me po të njëjtin titull të autorit kanadez Michael Ignatieff.
Ky film do ta paraqesë Neesonin tek u qaset intrigave politike si gazetar duke gjurmuar vrasjen e një gruaje shqiptare nga një oficer i ushtrisë serbe.
“I mbështetur kryesisht në romanin e vlerësuar me po të njëjtin titull të Michael Ignatieffit, ‘Charlie Johnson in the Flames’, do ta zhvendosë filmin nga Kosova në kontinentin afrikan, dhe me gjasë do të përqendrohet me theks në dhunën e vazhdueshme dhe në trazirat që përshkojnë gjithë atë hapësirë”, shkruan “bingepost”.
Romani i kanadezit Michael Ignatieff bën fjalë për gazetarin Charlie Johnson, i cili bashkë me kameramanin polak Jacek po mbulonte luftën në Kosovë.
Autori i romanit, Michael Ignatieff, është historian dhe akademik kanadez. Në qarqet akademike në Perëndim ai ka bërë emër me qëndrimin e tij në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ndërhyrje të cilën e kishte quajtur “luftë humanitare” në njërin prej librave të tij.
/a.r