Ditët e fundit, ambasadori i Shqipërisë në Kinë Selim Belortaja ka dhënë një intervistë me shkrim për Grupin Mediatik të Kinës (CMG). Z. Belortaja vlerëson lart masat e marra nga Kina dhe shpreh mendimin se Kina është bërë pengesa më e fuqishme e përhapjes së epidemisë.
Si është situata e përgjithshme e shqiptarëve në Kinë? A ka ndikuar deri më tani epidemia tek ata?
Nuk ka dyshim që jemi para një situate të pazakontë, të cilën edhe vetëm dy muaj më parë askush nuk e mendonte. Nuk ka dyshim gjithashtu që kjo epidemi është e rrezikshmërisë së lartë, për shkak të lehtësisë së infektimit, përhapjes së shpejtë dhe shtrirjes jo vetëm horizontale, gjeografike, por edhe vertikale, d.m.th. duke prekur zinxhirin e shërbimeve të jetesës. Si e tillë, ajo nuk mund të mos prekte edhe shqiptarët që punojnë, studiojnë e jetojnë në Kinë. Edhe ata kanë kufizuar lëvizjet, udhëtimet, aktivitetet shoqërore, takimet me shokët e miqtë, auditorët, bibliotekat, baret e kafet e preferuara. Vlen të theksohet se shqiptarët, ashtu si dhe ambasada, i kanë mirëkuptuar këto kufizime e vështirësi, si sakrifica të domosdoshme që duhet të bëjë kushdo që ka zgjedhur të qëndrojë a studiojë në Kinë, duke u ndodhur përballë kësaj situate në krah të miqve e shokëve kinezë. Ambasada sigurisht ka përdorur çdo mjet për të ruajtur komunikimin me bashkëkombasit, nëpërmjet postës elektronike, postimeve në uebsajtin e ambasadës dhe në rrjetet sociale, por sinqerisht nuk na është dashur ndonjë punë e madhe. Interesante është se, nga rreth 400 shqiptarët që jetojnë në Kinë, nuk ka pasur asnjë rast të vetëm paniku, madje as nga studentët që u evakuuan prej Ëuhan-it. Të gjithë u janë nënshtruar rregullave dhe disiplinës që impononte situata e emergjencës.
Gjatë luftës kundër epidemisë, a ka marrë ambasada e Shqipërisë në Kinë njoftimet përkatëse nga autoritetet kineze? Si i vlerësoni punët e palës kineze mbi publikimin e informacioneve dhe masat e marra nga Kina kundër epidemisë?
Ne jemi prej javësh pjesë e një komunikimi të përhershëm që furnizohet rregullisht me informacion nga autoritetet kineze, kryesisht buletinit të Ministrisë së Jashtme dhe Bashkisë së Pekinit. Nëpërmjet këtij informacioni, po edhe mediave të ndryshme që pasqyrojnë zhvillimet, ne ndjekim pa vështirësi zhvillimet e situatës epidemike. Unë mbetem thellësisht i impresionuar nga kompetenca, serioziteti dhe vendosmëria me të cilën autoritetet kineze po administrojnë situatën. Me po aq respekt shoh sakrificën e çdo kinezi të zakonshëm për të mirëkuptuar masat, duke iu bindur disiplinës dhe, njëkohësisht, duke kontribuuar në luftën kundër epidemisë. Natyrisht, vëmendja parësore është te kërkimi shkencor për të izoluar e ndaluar COVID-19. Respekti dhe mbështetja që qeveria tregon ndaj heronjve të vijës së parë të frontit, mjekëve e punonjësve shëndetësorë në Ëuhan, janë gjithashu prekëse e motivuese. Por mendoj se një element po aq i rëndësishëm i përballimit të epidemisë është mirëkuptimi i përgjithshëm, që nga qytetari më i thjeshtë deri te kreu i shtetit kinez, dhe kontributi i secilit.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus është shprehur se pala kineze ka paguar një çmim të madh, por ka fituar kohë për botën. Si e vlerësoni bashkëpunimin ndërkombëtar të Kinës gjatë përballimit me epideminë?
Në një linjë me Drejtorin e Përgjithshëm të OBSh-së, si ambasador i vendit tim, unë ndihem shumë mirë që autoritetet më të larta të Shqipërisë, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, e kanë njohur tashmë këtë sakrificë të pashembullt të Kinës dhe u kanë shprehur tashmë simpatinë, ngushëllimin dhe solidaritetin e tyre dhe të popullit shqiptar qeverisë e popullit kinez. Edhe unë i bashkohem opinionit se atë që Kina po bën për ndaljen e COVID-19, vështirë të mendohet se mund të bëhej nga ndonjë vend tjetër në mënyrë kaq masive, kaq të mobilizuar, kaq të rreptë dhe kaq të vendosur. Në më pak se dy muaj bota po bindet se Kina vërtet pati fatkeqësinë të ketë në territorin e saj vatrën e shpërthimit të një virusi kaq të rrezikshëm për qeniet njerëzore, por Kina u bë dhe barriera më e fuqishme bllokuese e përhapjes së tij. Për këtë ajo po paguan kosto të shumëfishta, njerëzore, sociale, ekonomike dhe financiare. Është fat për ne të tjerët që, në vijën e parë të betejës kundër këtij kërcënimi, ndodhen kapacitetet njerëzore, logjistike, shkencore e financiare të fuqisë ekonomike nr. 2 të globit. Ndërkohë, siç ka vënë në dukje jo një herë, por disa herë OBSh-ja, vërehet se Kina po e zhvillon këtë betejë në një frymë të hapur dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Përveç informacioneve shtetërore, shumë burime mediatike vendase e botërore janë të aksesueshme lehtësisht nga kushdo, ndërkohë që një mision i OBSh-së që investigoi e punoi në territorin kinez, përfshi Ëuhan-in dhe Hubei-n, e përmbylli misionin e vet më 24 shkurt, duke theksuar sërisht konkluzionin mbi mobilizimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Kinës, duke i dhënë kohë botës t’i paraprinte një goditjeje të drejtpërdrejtë, madje duke e cilësuar administrimin e rreptë kinez të epidemisë si model për vendet e tjera ku ka përhapje serioze të virusit.
Sivjet është viti i realizimit të objektivit të ndërtimit të një shoqërie të mirëqenies së gjithanshme në Kinë, por tani gjendemi përpara sfidave serioze. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë epidemia mbi ekonominë e shoqërinë kineze?
Siç thamë, goditja epidemike, kufizimet që imponohen prej saj dhe shpenzimet e jashtëzakonshme buxhetore të kryera e që do të kryhen për luftën kundër virusit në Ëuhan, Hubei e gjithë territorin kinez edhe për muaj, e ndoshta 1-2 vjet mbas epidemisë, do të kenë pasoja të dukshme për ekonominë kineze. Dhe, për shkak të rolit dhe vendit që zë Kina në tregtinë dhe shkëmbimet globale, ky ngadalësim do të shtrihet po ashtu në tregjet globale. Pra, Kina e para do të vazhdojë të mbajë mbi supe edhe pasojat kryesore pas epidemisë. Ashtu siç edhe ajo do të ndiejë efekte të jashtme nga prekja epidemike e vendeve të tjera. Ndërkohë që vendet e tjera ekonomikisht do të preken nga të dy shkaqet: nga ngadalësimi i prodhimit e ekonomisë kineze (me produktin e së cilës të gjitha ekonomitë e tregjet janë të lidhur) dhe nga prekja e tyre e drejtpërdrejtë prej COVID-19, që siç duket do të vazhdojë të shtrihet, dhe për shumë vende do të jetë e rëndë. Muajt që vijnë pra, përveç menaxhimit të situatës dhe përpjekjeve për rigjallërim të ekonomisë, duhet të jenë edhe muajt e një mirëkuptimi e sakrifice të re, përballë një gjendjeje ekonomike përkohësisht të vështirësuar. Në një perspektivë afatmesme dhe afatgjatë, nuk kam dyshim se Kina do të shfaqet me ritme ekonomike të përshpejtuara dhe me një bazë teknologjike super të përparuar. Ndërsa në aspektin e shkencës mjekësore, të kompetencës epidemiologjike e pneumologjike, Kina do të dalë një fuqi botërore e padiskutueshme.
Që prej fillimit të epidemisë, keni qenë në Pekin. Besojmë se miqtë e të afërmit tuaj janë të shqetësuar për ju. Ju keni publikuar shumë informacione për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë nëpërmjet medias shoqërore, dhe keni inkurajuar stafin mjekësor. A dëshironi të thoni diçka për të afërmit tuaj dhe për publikun shqiptar?
Kam ndjekur me përgjegjësi e me shqetësim një situatë, e cila duhet thënë është unike, e paparashikuar dhe e patrajtuar nga rregulloret e shërbimit tonë diplomatik. Kjo ka bërë që hera-herës të dal nga “guaska” e diplomatit dhe të komunikoj me shqiptarët thjesht si bashkëkombas i tyre, si prind ose familjar i tyre. Mendoj se i kemi mbajtur të informuar realisht mbi sa po ndodh dhe ndihemi mirë që nuk ka as shenja keqkuptimi, as panik, por as edhe entuziazëm të pabazuar. Sugjerimi im për shqiptarët në Kinë sot mbetet po ai: autoritetet mjekësore, shkencore e qeverisëse kineze e njohin situatën më mirë nga cilido nga ne veçmas. Prandaj rruga më e mirë për mbrojtjen e tyre dhe të të tjerëve është që ata të informohen mbi rregullat që administrata kineze po aplikon dhe t’i zbatojnë ato me përpikmëri. Ndërkohë, ju them se askujt s’i është mbyllur asnjë hapësirë për të bërë një zgjedhje tjetër lidhur me qëndrimin, sipas gjykimit të secilit dhe ndjeshmërisë së familjarëve. Familjarëve, kolegëve e miqve ju them të bëjnë durim e së bashku të mësojmë t’u përshtatemi kushteve të reja pa e ndërprerë asnjë çast kontributin tonë për kontrollin dhe bllokimin e kësaj epidemie. /Albanian.cri.cn/
a.r