Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi sot se “nuk do të lejojmë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në shkollën ‘Janaq Kilica’ në Fier, prej shumë e shumë vitesh”.
Ministrja Shahini u shpreh se bashkë me kryetarin e bashkisë Fier, Armando Subashi kanë rënë dakord “për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, që ta sjellim atë në gjendjen e godinës së re, pra në gjendjen të cilën meriton shkolla qendrore e Fierit”.
“Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës. Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtëparlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore”, u shpreh Shahini, duke iu referuar ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në këtë shkollë, ku si pasojë e përdorimit të një spraji me lëndë gazi, disa nxënës shfaqën shqetësime me frymëmarrjen dhe pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë.
/a.r