Ministria e Shëndetësisë e Irakut njoftoi për dy personat e parë të vdekur si pasojë e sëmundjes që shkakton koronavirusi i ri.
Një grua me sistem të dobët imunitar dhe një burrë që vuante nga sëmundje kronike kanë vdekur të mërkurën në Bagdad, thanë autoritetet.
Ka pasur raporte kundërthënëse edhe për vdekjen e një kleriku 70-vjeçar në rajonin kurd të Sulejmanias.
Zyrtarët kurdë atje kanë thënë se vdekja e tij ishte rezultat i COVID-19 – sëmundjes që shkakton koronavirusi – por Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kjo nuk është konfirmuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Iraku ka raportuar 34 raste të prekura me koronavirus.
Shumica e tyre lidhen me Iranin fqinj, ku sëmundja ka vrarë 107 njerëz dhe ka prekur mbi 3,500 të tjerë.
Në Iran janë mbyllur të gjitha shkollat dhe janë ndërmarrë një varg masash, për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Saeed Namaki, tha në një konferencë për media se të gjitha shkollat dhe univerisitetet do të mbeten të mbyllura deri më 20 mars.
Ai po ashtu njoftoi për ngritjen e pikave të kontrollit, për të kufizuar udhëtimet midis qyteteve të mëdha.
“Njerëzit nuk duhet ta konsiderojnë këtë si mundësi për të udhëtuar. Ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i marrin seriozisht paralajmërimet tona”, tha Namaki.
Ndërkohë 11 njerëz në SH.B.A. kanë vdekur nga koronavirus, dhe 165 njerëz kanë rezultuar pozitiv në mbarë vendin. Shteti i Uashingtonit ka qenë në epiqendrën e shpërthimit, me 44 raste dhe 10 vdekje.
Në Gjermani, vetëm 24 orët e fundit u shënuan 182 raste me njerëz të prekur nga koronavirusi., duke e çuar në 444 numrin e përgjithshëm të të infektuarve deri tani.
Sakaq shtohen frikshëm rastet në të gjithë botën. Të dhënat e fundit evidentojnë se janë gjithsej 95 128 raste me 3 254 të vdekur.
g.kosovari