Ministrat e Financave nga Grupi i Shtatë ekonomive më të fuqishme në botë janë mbledhur për të diskutuar mbi masat ndaj shpërthimi të koronavirusit (COVID 19) që ka sjellë raste të infektimit në të paktën 70 vende.
Bisedimet e grupit G-7 vijnë në një kohë kur Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in kërkoi fonde në vendin e tij për furnizime mjekësore dhe për të ndihmuar bizneset e vogla që janë goditur rëndë për shkak se njerëzit po qëndrojnë në shtëpi nga frika e infektimit me virusin COVID 19.
Koreja e Jugut është një nga vendet më të goditura pas Kinës. Të martën Koreja e Jugut njoftoi se sipas të dhënave më të fundit në vend janë shënuar gati 5,000 raste infektimi.
“I gjithë vendi ka hyrë në luftë kundër kësaj sëmundjeje infektive,” tha Presidenti Moon.
Irani është një tjetër vend nga ku virusi është përhapur në vendet e tjera përmes udhëtimit të të infektuarve. Ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë shkuar atje për të ndihmuar punonjësit lokalë të shëndetit për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Britania, Franca dhe Gjermania gjithashtu premtuan të dërgojnë furnizime mjekësore në Iran.
Kina ka parë një ulje të numrit të rasteve të reja, duke raportuar vetëm 125 raste të martën. Kjo është nga shifrat e saj më të ulëta të rasteve të reja në dy muajt e fundit.
Ngadalësimi i përhapjes së virusit COVID 19 në Kinë vjen në një kohë kur rastet e infektimit janë rritur në vende të tjera.
Shtetet e Bashkuara njoftuan katër vdekje të tjera nga virusi COVID 19 të hënën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vjekjeve në gjashtë dhe atë të infektuarve në rreth 100.
Në të gjithë botën, virusi ka infektuar 90,000 njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e 3,100 të tjerëve.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se fokusi i të gjitha vendeve duhet të jetë në përpjekjet për të vënë nën kontroll virusin.
“Jemi në një territor të paeksploruar,” tha Tedros. “Asnjëherë nuk kemi parë një patogjen respirator që është i aftë të transmetohet në komunitete, por që gjithashtu mund të vihet nën kontroll me masat e duhura”.
Përhapja e koronavirusit ka prekur njerëzit në të gjithë botën. Miliona nxënës japonezë nuk shkojnë në shkollë prej katër javësh; Izraelitët e infektuar u detyruan të votonin në zgjedhjet kombëtare të së hënës në vendvotime të posaçme; dhe mijëra turistë nuk mund të vizitojnë Luvrin në Paris, muzeu më i njohur i artit në botë.
Në Gjermani është e zakonshme që njerëzit të përshëndesin njëri-tjetrin me shtrëngime duarsh. Por kur kancelarja gjermane Angela Merkel u paraqit për një takim me grupet e imigrantëve, Ministri i Brendshëm Horst Seehofer nuk e shtrëngoi dorën e saj të shtrirë.
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Paris (OECD) paralajmëroi se ekonomia globale mund të tkurret në tre muajt e parë të vitit për herë të parë që nga recesioni i vitit 2008.
“Parashikimet globale ekonomike mbeten të ulta dhe shumë të pasigurta,” tha kjo organizatë.
OECD uli parashikimin e saj të rritjes globale për vitin 2020 me gjysmë përqind, në 2.4%, që do të ishte rritja më e dobët që nga kulmi i krizës ekonomike të vitit 2008.
Industria amerikane e prodhimit u ngadalësua përsëri në shkurt, tha Instituti për Menaxhimin e Furnizimit, pasi zinxhiri global i furnizimit u ndikua nga shpërthimi i koronavirusit.
Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij i punës për koronavirusin u takuan në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit e kompanive të mëdha të ilaçeve në lidhje me mundësinë e përparimit të punës për zhvillimin e një vaksine për koronavirusin. Industria e ilaçeve ka thënë që një kurë e tillë është deri 18 muaj larg.
Trump tha se përpjekjet e administratës së tij kanë kufizuar efektet e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.
“Unë u kritikova nga demokratët kur mbylla vendin nga Kina shumë javë përpara se kjo të rekamandohej pothuajse nga të gjithë,” tha ai. “Shpëtuam shumë jetë. Demokratët po punonin në procesin mashtrues të shkarkimit (të Presidentit). Ata nuk e kishin idenë se çka po ndodhte! Tani ata mbjellin frikë në mesin e njerëzve. Qetësohuni dhe tregohuni syhapur!”
Të mërkurën, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara do të takohen me drejtuesit e kompanive ajrore dhe atyre të anijeve turistike për gjendjen e
vështirë të tyre të shkaktuara nga pakësimi i udhëtimeve për shkak të përhapjes së koronavirusit.
E hëna solli dy rastet e para të raportuara në Indonezi. Zyrtarët shëndetësorë atje thanë se të infektuarit kishin lidhje me një shtetas të infektuar japonez.
Italia ka qenë vendi më i goditur në Evropë dhe ka parë numrin e rasteve të saj të rritet në rreth 1.700 të Dielën. Zyrtarët atje thanë se ata prisnin që numri rasteve të rritet më tej.
OBSH thotë se shumica e pacientëve me koronavirus janë të rritur me simptoma që përfshijnë ethe, kollë të thatë dhe gulçim.
Organizata thotë se 80% e viktimave përjetojnë një nivel më të lehtë të sëmundjes; 14% përjetojnë sëmundje të rënda; dhe 5% e të infektuarve sëmuren në mënyrë kritike. OBSH thotë se ata që përjetojnë raste më të rënda janë njerëz të moshës mbi 60 vjeç dhe që kanë probleme të tjera shëndetësore. /VOA/