Personi që shihni në këtë foto dyshohet se është autori i një vjedhje të pazakontë të një pike të këmbimit valutor në lagjen “15 Tetori” të Fierit. Identititeti i tij nuk dihet, por pronarit të pikës së këmbimit të parave iu prezantua si biznesmen nga Azerbajxhani.
Për një javë rresht ai tërhiqte sasi të vogla parash duke krijuar edhe afrimitet me drejtuesit e biznesit. Gjithçka dukej se shkonte mirë deri në 11 Shkurt të këtij viti kur azerbajxhansi kërkoi të blinte 50 mijë Euro. I futi ato në një valixhe e cila mbyllej me një kod sigurie.
Më pas tha se do të shkonte në filialin e një banke aty pranë për të tërhequr paratë, por valixhen e la në pikën e këmbimit valutor. 15 minuta më pas pronari i pikës së këmbimit kuptoi se diçka nuk shkonte dhe hapi me forcë valixhen që azerbaxhanasi kishte lënë në tavolinën e tij. Brenda saj nuk kishte asgjë. Mbetet e paqartë se si azerbajxhanasi u largua së bashku me paratë dhe që nga ajo ditë nuk dihet më për të.
Nga zbardhja e kamerave të sigurisë shihet se ai ështrë larguar në drejtim të qendrës së Fierit ku ka humbur gjurmët. Ndaj tij është bërë një kallëzim në polici dhe fotoja është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, por hetuesit nuk kanë rënë ende në gjurmët e mashtruesit. Burime zyrtare në Policinë e Fierit thanë se edhe pse kanë kaluar 20 ditë, ngjarja nuk është bërë publike për të mos i dhënë mundësi autorit të mashtrimit të mësonte se ishte në ndjekje, por duket se kjo nuk e ka penguar atë shijojë ende paratë e vjedhura.