Asnjë person nuk është i infektuar nga koronavirusi në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë tha se 36 raste të dyshuara që kanë bërë analizën në laboratorin e Institutit të Shëndetetit Publik kanë rezultuar negativ.
Ministrja Ogerta Manastirliu dha shifrat gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore Bathore 3, e rindërtuar nga e para, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.
“Edhe pse të gjitha strukturat e shëndetësisë janë të fokusuara tek masat për parandalimin e koronavirusit të ri, nuk e kemi humbur fokusin nga programet e rindërtimit, nga premtimet tona. Ndërkohë vijon pajisja me mjete të mbrojtjes personale të të gjithë strukturave të shëndetësisë. 1.2 milion maska po shpërndahen ndërsa janë edhe 1 milion dollarë në dispozicion të spitaleve për të rritur stokun e mjeteve të mbrojtjes personale. Duhet thënë se deri tani janë testuar 36 raste, të cilat kanë rezultuar negative”, tha Manastirliu.
Qendra shëndetësore Bathore është një nga 44 qendrat e shëndetësore ku marrin shërbim shëndetësor rreth 8 500 banorë. /e.s/