Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se ka tërhequr kandidaturën për të organizuar Superkupën e Evropës, pasi do të përqendrohet për të sjellë finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë.
“Federata e Futbollit, duke i dhënë përparësi organizimit të finales së një kompeticioni të ri evropian në Tiranë që do të ketë një vëmendje të madhe kontinentale, ka vendosur të fokusohet në kandidaturën e saj për të sjellë në Air Albania Stadium, finalen e Ligës së Konferencës (Conference League) për vitin 2022.
Duke i dhënë prioritet absolut këtij eventimenti sportiv dhe për të garantuar më shumë mundësi akordimi, FSHF-ja ka tërhequr kandidaturën si vend kandidat për të organizuar Super Kupën Evropiane”, lexohet në njoftimin e FSHF-së.
“FSHF-ja rikonfirmon se mbetet fuqimisht e angazhuar për të sjellë në Air Albania Stadium për sportdashësit shqiptarë dhe të huaj, evenimente sportive të nivelit të lartë, duke e futur kryeqytetin tonë në hartën e futbollit elitar europian”, shtohet më tej në komunikatë.
Liga e Konferencës do të nisë nga sezoni 2021-2022 dhe do të jetë kompeticioni i tretë për nga rëndësia pas Champions League dhe Europa League.
Vendimi lidhur me finalen e Ligës së Konferencës të vitit 2022 do të jepet në muajin dhjetor të këtij viti nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.