Një grua e emancipuar është më e kërcënuar nga dhuna në familje. Kështu u shpreh Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, në studion e emisionit “Java në RTSH”.
Duke folur për rastet e dhunës, ajo shtoi se shoqëria shqiptare ka shumë për të bërë, kryesisht për ndërtimin e strukturave të nevojshme parandaluese.
Ballanca solli në studio edhe disa propozime, teksa shtoi se fatkeqësisht as Parlamenti nuk është një arenë edukuese për shqiptarët.
“Ne duhet të dimë si t’i shmangemi marrëdhënieve të dhunshme. Unë mendoj se edukimi i meshkujve shqiptarë duhet të nisë që në vegjëli. Ky edukim duhet të jetë parësor. Vetëm ndryshimi i mentalitetit në Shqipëri mund të sjellë një ndryshim real. Ne sot kemi një shoqëri ku rastet me urdhra mbrojtjeje numërohen me mijëra” – tha Ballanca në studion e emisioni “Java në RTSH”.
Ballanca u shpreh që për herë të parë, institucioni që ajo drejton ka nisur të adresojë edhe sjelljet e dhunshme ne protestat politike. Por ajo konstatoi se fatkeqësisht në politikën shqiptare mungesa e kompromiseve shihet si virtyt.
“Dhuna në protesta duhet të adresohet dhe policia duhet të jetë e përgatitur për këtë. Ajo që ndodhi në 21 Janar dha mësim kryesore për përgjegjësit. Qytetarët duhet ta ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë të përgjegjshme” – tha Ballanca teksa veçoi rastin e Unazës së Re.
“Rasti i Astirit është një rast skandaloz i përdorimit të dhunës nga autoritetet. Prishjet e banesave në atë zonë nisën pa pasur minimalisht lejen e ndërtimit të projektit” – tha Avokati i Popullit në studion e emisionit “Java në RTSH”.