Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për burrin që vrau me levë bashkëshorten e tij.
Autori shfaqet para togave të zeza i qetë dhe i penduar, duke thënë: “Ishte një moment i çastit. Ofenduam njeri-tjetrit për ca borxhe që kishim. Jam shumë i penduar. I kërkoj falje fëmijëve. Nuk duhet të kisha arritur këtu”.
Rruzhdi Tasuni qëlloi për vdekje tri ditë më parë bashkëshorten e tij, Hajdien.
Ngjarja ndodhi në dyqanin e viktimës. Sipas asaj që kanë zbuluar hetuesit, burri e ka qëlluar të paktën 6 herë në kokë gruan me një shufër hekuri rreth 70 cm, e cila shërbente për të ulur qepenin e dyqanit të tyre.
Autori ka treguar pas arrestimii se shkaku i sherrit mes tyre paraditen e djeshme është bërë pikërisht dyqani ku ndodhi edhe vrasja, në të cilin ata tregtonin metrazhe.
“Punët aty s’po ecnin mirë dhe i thashë ta shesim. Aty nisi gjithcka. Ajo nuk donte. Llaf pas llafi situata u agravua. Në gjaknxehtësi e sipër e qëllova me hekurin që mbyllim qepenin (shufër hekuri me ganxhe). E godita në kokë.
Ajo tentoi të dilte nga dyqani, por e tërhoqa brenda dhe e qëllova sërish”.
Duke justifikuar këtë sjellje, autori tha se në ato momente “nuk isha në vete, e humba toruan fare”. (Panorama)