Një doktor në Tiranë, me 12 copë eurosh të prerjes 500-she u kthye në “grackën” e një “gazetari” të rremë, i cili po e priste prenë e tij t’i merrte 6 mijë euro, në shkëmbim të mosbotimit të një artikulli. Historia nis në muajin nëntor 2019, kur mjekut të njohur Besim Boçi në “Facebook” i postohet një mesazh së bashku me fotografinë e një femre që ai nuk e njihte. Së bashku me fotografinë, nga profili i rremë me emrin Gentian Tahiri, që prezantohej si Ceo i portalit Blitz, mjeku paralajmërohet se do të nxirrej për botim shkrimi me titull “Kapet mat shefi i ORL në QSUT”. Gazetari i rremë flet me një fjalor të përzgjedhur dhe shfaqet i edukuar. Madje edhe i shqetësuar për reputacionin e doktorit. Ai madje ia qan hallin se artikulli do bëhej viral dhe se doktori do dëmtohej, pasi ishte person publik. Doktori Boçi pas bisedës në “Facebook” ku gazetari i rremë i kërkon 6 mijë euro, i drejtohet policisë, e cila e përfshin në aksion për kapjen e kërcënuesit. Gjatë dorëzimit të parave që policia i printoi nga ‘google’, rezultoi se gazetari i rremë ishte Mario Kodra, një 22-vjecar nga Pogradeci, i cili deklaroi menjëherë pasi i hodhën prangat se kishte sajuar gjithçka për shkak të vështirësisë ekonomike.
Gazeta “Si” po zbardh pjesë nga dosja e bisedës mes “gazetarit” dhe mjekut, referuar këqyrjes në internet në adresat e “Facebook” të kryer nga laboratori i kriminalistikës. Aty jepet i plotë kërcënimi i gazetarit nga njëra anë dhe shuma që ai kërkon, në shkëmbim të mos shpërndarjes së fotografive që ai i kishte montuar.
Gentian Tahiri: Përshëndetje. Zoti Boci, jam gazetar i portalit Blitz si dhe gazetar në disa portale të tjera. Nëse keni pak kohë ju lutem
Besim Boçi: Përshëndetje
Gentian Tahiri: Nëse keni pak privatësi, pasi mund t’ju rëndoj pak, ditën e nesërme është në plan të botohet një artikull shumë shqetësues për ju.
Besim Boci: Për çfarë bëhet fjalë? Në gazetë? Portal?
Gentian Tahiri: Janë disa informacione që kanë mbërritur dhe pritet të bëhen 2 apo tri publikime në vijim. Më lejoni t’ju çoj një demo të artikullit, ju lutem
Besim Boçi: Informacione për çfarë?
Gentian Tahiri: Një moment ju lutem
Prokuroria thotë referuar materialit të policisë se në këtë çast gazetari i rremë i poston një fotografi të një shtetaseje, të cilën mjeku e njeh vetëm si pjesë e personelit mjekësor, por që nuk ka asnjë kontakt apo njohje me të. Gazetari paralajmëron se titulli i shkrimit do ishte “kapet mat shefi i ORL”
Gentian Tahiri: Artikulli nuk është botuar akoma
Besim Boçi: Kush portal e boton?
Gentian Tahiri: Blitz.al dhe më pas edhe disa të tjera. Meqë është çështje shumë e prekshme, më duhet t’ju njoftoj se ka shumë mundësi edhe për të mos u botuar, pasi ju jeni edhe njeri publik dhe e dini sa shpejt hapet lajmi. Dhe besoj mund ta kuptoni vetë.
Besim Boçi: Takohemi nesër
Gentian Tahiri: Nuk mund të bëjmë asnjë lloj takimi apo telefonate. Çështja rregullohet vetëm nëpërmjet një shume. Të konsiderueshme, pasi e kuptoni, nuk është punë vetëm e një personi.
Besim Boçi: Flasim nesër, takohemi
Gentian Tahiri: Më vjen keq, nuk mund të takohemi. E lëmë me kaq bisedën nëse dëshironi
Besim Boçi: Po kush e do këtë shumë?
Gentian Tahiri: Tani flasim pa doreza sepse edhe unë duhet të jap një njoftim për vete. Nëse do biem dakord, anulohet publikimi i nesërm. Ndoshta është shumë e papërshtatshme për ju dhe kjo lloj manovre nuk bëhet për këdo. Por ju jeni personalitet dhe nuk është në interes të askujt prishja e imazhit. Fillimisht duhet të biem dakord dhe më pas ju shpjegoj detajet. Më falni se nuk kam edhe shumë kohë.
Besim Boçi: Po për çfarë të biem dakord me sms
Gentian Tahiri: Atëherë, shuma duhet të jetë 6 mijë euro. Nëse bini dakord mund të presim gjer të enjten dhe më pas do bëhet një shkëmbim me dikë. Informacionet nuk janë askund tjetër dhe më pas fotografitë do fshihen.
Besim Boçi: Takohemi nesër dhe flasim
Gentian Tahiri: Zoti Boçi më duket se nuk po e kuptoni. Nuk mund të takoj askënd
Besim Boçi: Po nëse nuk takoj askënd, kush do ta marrë shumën?
Gentian Tahiri: Do i flasim këtu detajet nëse bini dakord, ma bëni të qartë tani se ju thashë duhet të bëj edhe unë njoftimin tim.
Besim Boçi: Parimisht jam dakord
Gentian Tahiri: Atëherë nuk do botohet artikulli nesër, maksimumi ju thashë do pritet deri të enjten, por nëse e siguroni shumën mund ta mbyllim edhe nesër dhe ju them për detajet.
Besim Boçi: OK
Gentian Tahiri: Do bëni një takim disasekondësh me dikë vetëm për dorëzimin nëse më kuptoni. Ta lëmë për të enjten apo nesër?
Besim Boçi: Të enjten, nuk jam gati nesër
Gentian Tahiri: Shuma do jetë në dorë, besoj e kuptoni , ju kontaktoj të enjten atëherë. Do ju sugjeroja mos të bëni shumë lëvizje, pasi janë disa që ju janë vënë mbrapa. Pasi të mbyllim punën do ju jap më shumë informacion. Ju kërkoj shumë falje për shqetësimin dhe pres mirëkuptimin tuaj maksimal.
Besim Boçi: Faleminderit
Pas këtij komunikimi thonë burimet e Gazetës “Si”, mjeku i njohur nuk ka hezituar aspak t’i drejtohet policisë dhe t’i dorëzojë komunikimin. Njëkohësisht policia e ka inkurajuar mjekun të vazhdojë bisedën për të caktuar takimin e radhës me gjobëvënësin, i cili i ka thënë se dorëzimi do kryhej në afërsi të Librit Universitar. Pikërisht aty, teksa mjeku kallëzues po i jepte një shumë letrash të printuara që ngjanin si euro, ka ndërhyrë grupi i agjentëve të krimeve dhe kanë kryer arrestimin. 22 vjeçari tashmë do të përballet me Gjykatën për akuzën e shtrëngimit për dhënie pasurie me anë të kanosjes tha për Gazetën “Si” një burim i sigurt.
g.kosovari