Policia ka zbardhur detaje lidhur me vetëvrasjen e 47- vjeçarit Fatmir Kolecaj i cili dy ditë më parë ekzekutoi ish- gruan dhe vëllanë e saj në banesën në Rrëshen.
Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes së mbrëmjes të datës 25 shkurt në Kodër Rrëshen ku mbetën të vrarë me armë zjarri vëlla e motër, forca të shumta të Policisë së Shtetit prej 45 orë kërkimesh dhe kryeje të veprimeve proaktive kanë bërë të mundur që të lokalizonin autorin e dyshuar të ngjarjes i cili në orët e mbasdites është futur nëpërmjet pyllit në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës.
Forcat e FNSH-së të Shkodrës kanë krijuar perimetrin e jashtëm të rrethimit të banesës dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej.
Autori i ngjarjes shtetasi Fatmir Kolecaj, nuk i është përgjigur thirrjes së Policisë për tu dorëzuar, por ka hapur zjarr në mënyrë të befasishme mbi forcat e Policisë dhe për pasojë nga të shtënat është plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën një punonjës i FNSH-së, Shkodër.
Në ndihmë të FNSH-së dhe Policisë lokale kanë shkuar edhe forcat speciale Renea ku kanë krijuar një rrethim të dytë dhe i kanë bërë thirrje autorit të hidhte armën dhe ti dorëzohej Policisë.
Fatmir Kolecaj kur ka parë se s’kishte asnjë mundësi që të largohej nga banesa ka vrarë veten me armë zjarri. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
47-vjeçari ekzekutoi ish-gruan Esmeralda Filopati 36 vjeçare, nëna e tre fëmijëve dhe vëllanë e saj Vledison Filopati 34 vjeç mbrëmjen e së martës, pasi u bëri pritë në hyrje të banesës.
Kolecaj kishte tentuar vetëvrasjen edhe në 2017 në kohën kur ishte i burgosur në Shënkoll të Lezhës, pasi u dënua për dhunë në familje dhe armëmbajtje.
Pasi doli nga burgu një vit më parë konfliktet për kujdestarinë e fëmijëve vijuan dhe mbrëmjen e së martës kreu vrasjen e dyfishtë.
Policia vijoi kontrollet prej dy ditësh me efektivët e RENEA-s dhe FNSH-së, por edhe me dron në zonën e Rrëshenit, ndërkohë që Kolecaj mbrëmjen e sotme i fshehur në shtëpi i dha fund jetës, në të njëjtën ditë që u përcollën në banesën e fundit edhe vëlla e motër.
/a.r