Nga Artur Ajazi
Nexhmije Hoxha, ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës, ka mbyllur sytë në moshën 99 vjeçare, e rrethuar nga fëmijët dhe familjarët e saj, pasi ka lënë pas një histori të gjatë dhe të diskutueshme. Kjo lidhet me të shkuarën e saj komuniste dhe tranzicionin politik, me periudhën e ndërtimit të asaj që quhej “socializëm”, dhe ngjarjet që ajo përjetoi derisa mbylli sytë.
Nexhmije Hoxha, ishte dhe mbeti, gruaja që u impononte të gjithë politikanëve të pas ’90, ta sulmonin kur ishte “nevoja”, dhe ta admironin atë në fshehtësi. Askush nga ju o politikanë të tranzicionit, o ju që nuk latë gjë pa i bërë këtij vendi dhe shqiptarëve, o ju që si lubia u lëshuat mbi pasuritë e këtij vendi, duke vjedhur dhe duke zhvatur pa mëshirë edhe leckën e trupit të hallexhinjve, o ju që sot tregoheni me gisht si pasanikë të ardhur nga balta dhe hiçi, o ju që në 30 vjet vratë, gjymtuat dhe çmëndët një popull që kurrë si qeshi buza, nuk do të mund të ikë si Nexhmija. Askush nga ju që sot jetoni në lluks, dhe që harxhoni miliona për partitë, pushtetin, postin, qentë, macet, qejfet, orgjitë, skenarët, fëmijët, dashnoret dhe gratë e ndara, askush nga ju, që tundeni dhe shkundeni ekraneve dhe deklaroni se “çdo gjë e bëjmë për popullin”, askush nga ju që tallet me fakirin duke nxjerrë lotë krokodili, nuk do të mund të ikë si Nexhmija.
Ju nuk keni bërë asgjë për vendin dhe shqiptarët, pasi e gjetët gati shtetin dhe pushtetin. Ju masakruat bukuritë dhe pasuritë e këtij vendi, ju shpërfytyruat moralin dhe traditat e shqiptarëve, ju mbollët cep më cep injorancën, pabesinë, hajdutërinë, abuzimin, korrupsionin, trafikun, kontrabandën, dhe u lidhët me të zinjtë brënda dhe jashtë vendit. Ju që sot krenoheni se “jeni politikanët e demokracisë”, në fakt keni qenë jeniçerë të bindur të agjenturave rajonale dhe europiane. Për ju, paraja është tapia e gjithçkaje, për ju pasuria ka qenë mbi interesin e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ju vinit nga zyrat dhe institutet e Nexhmijes, por shumë shpejt dolët nga “shishja” e saj dhe u bëtë shejtanër dhe jo shenjtorë.
Askush nga ju, nuk do të mund të ikë si Nexhmija, pasi ju ka kohë që jeni mbuluar nga llumi, mallkimi, akuza dhe denoncimi. Ju do të mbeteni përjetë njolla e turpit për shqiptarët, vendi i “nderit” për xhambazët dhe tradhëtarët. Ju nuk e shani dot Nexhmijen, pasi nuk arritët ti tregoni shqiptarëve sa pasuri, sa vila, sa biznese, sa pallate dhe sa miliona euro kishte ajo në banka, por e gjykuat atë për dhjetra pako me kafe turke që kishte harxhuar… Ju nuk keni menduar për fundin tuaj, për haraçin që do të merrni një ditë, jo vetëm nga drejtësia e re, por edhe nga shqiptarët. Ju sot jeni mëndjeprishur, çehreprishur, qejfprishur, planeprishur, qetësiprishur, pasi ka ardhur koha të rrëfeheni për mëkatet tuaja, ndryshe as atje nuk do tu gjejë shpirti qetësi.