“A është frikë të shkarkosh Ilir Metën (për pasojat që mund të ndodhin)?”.
Kjo pyetje ju bë sekretarit të grupit parlamentar të PS-së, Ervin Bushati, në emisionin “Top Talk”.
“Ne e kemi nisur një… me instrumentin që kemi dhe kemi firmosur si grup parlamentar.
Mirë ose keq ne kështu mendojmë, kjo është për t’u provuar nga Komisioni Hetimor, pastaj argumentet merren edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Kemi bërë gjithë procedurat e sakta, kemi kërkuar edhe opinionin e Komisionit të Venecias, që tha: po ka shkelje të Kushtetutës në mënyrën e zhdekretimit të zgjedhjeve të qershorit.
Ka bërë një gabim zoti Meta? Mund të kishte ndoshta edhe këshilltarë të këqij që i thanë duhet ta zhdekretosh dhe bëri një gabim të tillë, por në fakt po shikojmë një trend sjelljeje politike që nuk i lejohet një presidenti”, u shpreh Bushati.
Më tej, ai shtoi:
“Nëse zoti Meta mendon se presidenti duhet të kishte më shumë fuqi kushtetuese, ka të drejtë që pasi të zbresë si president, të dalë si kryetar i LSI-së dhe të thotë shiko, unë mendoj që presidenti në Shqipëri nuk trajtohet siç duhet.
Ose të japë dorëheqjen dhe të thotë që unë në atë karrige e pashë që presidenti ishte shumë i vogël.
Kjo është Kushtetuta dhe kjo është kontrata, në qoftë se nuk i pëlqen të shkojë dhe ta kërkojë me zgjedhje.” (Tema)