Ilir Meta duket se e ka vendosur që të zbresë vetë në shesh. Pasditen e sotme mediat kanë zbardhur detaje të reja për 2 marsin, referuar burimeve nga Presidenca.
Mësohet se mitingu i thirrur nga presidenti do të mbahet në orën 17:00. Po të njëjtat burime thonë se Meta do të jetë drejtuesi i tubimit dhe bëhet fjalë për një manifestim paqësor.
Një detaj që bie në sy është se Meta ia faturon organizimin edhe Shemsi Prençit, i njohur si drejtues i Emergjencave Civile gjatë qeverisjes socialiste.
Ditën e sotme është zbuluar dokumenti që Presidenca i ka dërguar Policisë së Shtetit për të marrë masa për garantimin e sigurisë gjatë manifestimit.
Në të thuhet se “Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj. Një prej qëllimeve të këtij manifestimi është nënshkrimi nga Presidenti i Republikës përpara sovranit (popullit), të dekretit të parë kundër grushtit të shtetit që kërkon të realizojë Kuvendi njëpartiak në dhunim të Kushtetutës me qëllim kapjen në mënyrë antikushtetuese të institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Gjykatës Kushtetuese”.
Po ashtu deklarohet se i gjithë ky ndërgjegjësim do të realizohet përmes mesazheve paqësore publike që Presidenti i Republikës do të japë në këtë manifestim.
Në dokument thuhet se drejtuesi i këtij manifestimi paqësor është Presidenti Ilir Meta dhe se organizatorë dhe ndihmësit e tij, do të jenë këshilltarët Bahri Shaqiri, Dedë Prenga, Shemsi Premçi.
Sipas shkresës, qytetarët janë ftuar të kenë me vete flamuj kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të frekëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.
“Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë” – thuhet në njoftim.
/a.r