Nga Edmond Çata
1-Student apo pedagog, vota të vlejë njëlloj!
Po e bëj të qartë që në fillim: Siç e kam shprehur në shkrimin tim të mëparshëm, jam kundër zgjedhjeve në universitete. Por në kushtet kur me zgjedhja e drejtuesve do vazhdojë të aplikohet nëpër universitetetet tona, përsëri mendoj se edhe brënda kësaj praktike mund të bëhet diçka për ndryshim! Dhe ndryshimi që besoj se do të kish ndikim të fuqishëm dhe pozitiv në përmirësimin e gjëndjes aktuale të universiteteve është ky: Në zgjedhjet e Majit 2020 vota e studentit të peshojë njëlloj me votën e pedagogut! Pra vota e studentëve të mos llogaritet 10 përqind, siç thotë Rregullorja e Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, Universitetin e Mjekësisë, apo universitetet e tjera, por të ketë vlerë të njëjtë me votën e stafit akademik! Ky fuqizim i rolit të studentit nuk i zëvëndëson veprimet reformuese që nevojiten të ndërmerren qoftë nga qeveria, qoftë nga vetë universitetet. Por një votë e plotë e studentit, mund ti japë një mbështetje dhe frymëmarrje të paimagjinueshme të gjitha atyre forcave dhe politikave reformuese, në qeveri apo brënda vetë universiteteve, që janë vërtet për ndryshim, por që deri tani kanë dështuar ta realizojnë ndryshimin për shkak të “shurdhtësisë” dhe refuzimit që kanë treguar bandat me kollare e tituj që kanë uzurpuar e pushtuar universitetet shqiptare!
A ka sens ky propozim?
Në rrethana normale jo! Pra ky propozim nuk do të bëhej fare nëse do të kishim një universitet normal; nëse do të kishim drejtues dhe pedagogë që të çanin kokën për universitetin, studentin, dhe arsimin cilësor! Vetë unë personalisht, gjatë protestave studentore të Dhjetorit 2018, kam qënë skeptik ndaj idesë që kërkonte që pesha e votës së studentit të rritej nga 10 në 50 përqind për dy arsye. Së pari sepse besoja, siç besoj ende, se drejtimi, organizimi dhe funksionimi një universiteti nuk mund të jenë detyrë e studentit por përgjegjësi e strukturave, drejtuesve, dhe stafit akademiko-burokratik të universitetit. Studenti padyshim është përfitues i politikave universitare dhe cilësisë së arsimit. Por ai kurrsesi nuk mund të jetë as “hartues” i politikave që aplikon një universitet, as vendim-marrës i dorës së parë! Nëse një student do hartonte politika, apo do bëhej vendim-marrës, ai, as nuk do të ishte, as nuk do kishte më nevojë të quhej student! Dhe së dyti, kam qënë skeptik sepse si praktikë, në asnjë universitet normal në SHBA, Britani, apo edhe Evropë, nuk aplikohet një gjë e tillë. Në universitetet perëndmore studentit i është lënë mjaft haptësirë kontributi dhe i njihet si legjitime një numër formash pjesëmarrjeje në funksionimin e përditshëm institucional të universitetit.
Por gjëndja e universiteteve dhe arsimit të lartë në Shqipëri nuk është normale por katastrofike! Për më tepër, askush nuk po tregon pikën e vullnetit, dëshirës, ideve për të ndryshuar këtë gjëndje. Kasta drejtuese e universiteteve nuk luajti nga vendi as edhe nga vetë protesta e fuqishme e studentëve në Dhjetor 2018! Ndaj në situata jonormale si kjo aktualja, kapërcimi i tyre dhe zgjidhjet normalizyese shpesh i sjellin aplikimi përkohëshëm i mënyrave jo-konvencionale!
Çfarë e bën këtë propozim të ketë sens? Çfarë të mirash do të vinin nga materializimi i tij qoftë edhe përkohësisht? Çfarë do të përfitonte universiteti dhe studentët? Vetë qeveria, a do të kishte ndonjë përfitim nga mbështetja e një propozimi të tillë?
2-PËRSE VOTË TË PLOTË STUDENTIT?
Sot universitetet shqiptare, me në krye Universitetin 60-vjeçar të Tiranës, janë kokë e këmbë të zhytur në llumin e fiktivitetit, pandershmërisë profesionale, paaftësisë akademiko-shkencore, abuzimit me autoritetin, korrupsionit me postin, klientelizmit me vullnet të lirë të tipit quid-pro-quo, nepotizmit të paturpshëm, pseudo-pavarësisë. Ato gëlojnë sot nga plagjiatura, pseudo-Doktorë Shkencash, pseudo-Profesorë, kërkim shkencor fiktiv, veprimtari, konferenca, botime pseudoshkencore, rroga mizerabël, auditore të pseudo-rinovuar, luftë për pushtet mes drejtuesve, mungesë llogari-dhënie, dekanë feudalë, pseudo-pedagogë, pandëshkueshmëri.
Dhe përsëri, pavarësisht këtyre njollave të zeza, sot në universitetet shqiptare, me në krye UT, nuk gjen asnjë ndëshkim për mashtruesit plagjiaturistë; asnjë ndëshkim për abuzuesit me fondet; asnjë ndëshkim për abuzuesit me autoritetin e postin në gjithë nivelet e drejtimit të universitetit; asnjë reflektim ndaj praktikave klientelisto-nepotike; as pikën më të vogël të egzigjencës shkencore, profesionale, e akademike në lëshimin e titujve; asnjë iniciativë për të ndarë shapin nga sheqeri cilët profesorë i meritojnë vërtet titujt akademikë dhe cilët janë pseudo-profesorë; asnjë ndryshim në cilësinë e arsimit që i ofrohet studentit dhe trajtimin e tij; asnjë studim, raport, apo bilanc, mo po qoftë edhe një të vetëm, që të tregojë sa efektiv është modeli i qeverisjes përmes zgjedhjes “demokratikisht” të rektorëve, dekanëve, shefave të departamenteve, ç’ndryshim kanë sjellë në fund të mandatit drejtuesit, apo si ka qënë ndryshimi, për mirë apo për keq, në raport me ato çfarë kanë premtuar drejtuesit para se të zgjidheshin të tillë! Gjëndja pra është jashtëzakonisht anormale sepse funksionimi e zhvillimi institucional i universiteteve mbetet pandryshueshmërisht mishërues tipik i keqqeverisjes, i abuzimit me autoritetin, i moszhvillimit të kapaciteteve institucionale, i klientelizmit, i pandëshkueshmërisë, i barrikadizimit në llogoret e politikës së ditës, dhe i ofrimit të një arsimi pa vlerë! Pra, universiteti dhe arsimi cilësor mbetën jetim. Sepse nga brënda universitetit nuk mbeti asnjë që ti dilte për zot e nxirrte nga bataku!
Por universitetit dhe arsimit të lartë cilësor dështoi tu dalë për zot edhe vetë reforma Rama-Nikolla-Shahini! Qeveria Rama dështoi në reformimin e universiteteve dhe arsimit të lartë sepse zgjodhi të bënte aleancë jo me studentin, por me kastën dhe drejtuesit e korruptuar të universiteteve! As Rama, as Nikolla, dhe as Shahini sot, nuk iu drejtuan kurrë studentëve. Nuk i llogaritën kurrë si faktor! Nuk i ftuan kurrë në tavolinën e reformës! Nuk besuan kurrë se mund ti adresonin problemet duke u mbështetur tek forca, mëndja, pastërtia, energjia e studentit! Protestat studentore të Dhjetorit 2018 treguan se Rama dhe Nikolla i kishin bërë hesapet pa hanxhinë! Retorikës se sukseseve të reformës në arsimin e lartë, studentët dhe pankartat e tyre inteligjente i përplasën në fytyrë realitetin dhe të vërtetën e hidhur të reformës dhe rezultateve të gënjeshtërta. Aq sa vetë Kryeministri Rama, i stepur nga protesta studentore, u detyrua të angazhohej personalisht. Shkarkimi i Lindita Nikollës ishte haraçi i retorikës boshe, sukseseve imagjinare të reformës, dhe aleancës me kastat e korruptuara drejtuese të universiteteve. Nuk mund të them nëse Kryeministri Rama ka nxjerrë ndonjë mësim nga dështimi i realizimit të ndryshimeve reale në universitete dhe arsimin e lartë. Nuk e di nëse ai do të vazhdojë të injorojë dhe mosfaktorizojë studentët, të mos mbështetet tek forca e tyre, dhe të vazhdojë të bëjë sikur shpreson tek ndërgjegja dhe bërja e ndryshimit nga drejtuesit e korruptuar të universiteteve. Por fakti që Qeveria Rama-Shahini po vazhdon ta “menaxhojë” universitetin dhe arsimin e lartë me të njëjtat modele të dështuara si ai zgjedhjeve në universitete, pak haptësirë lë për të shpresuar se Rama ka nxjerrë mësim nga protesta studentore të Dhjetorit 2018! Zgjedhjet në universitete në Maj 2020 nuk ka gjasa të ndryshojnë gjë pa futur studentët në lojë dhe pa i shëndrruar ata në një faktor të rëndësishëm përmes dhënies atyre të drejtën e votës së plotë. Zgjedhjet e reja do ndryshojnë kalorësit por jo realitetin. Vazhdimin e të njëjtës gjë, edhe sikur të shkarkonte Besa Shahinin, nuk do të kishte haraç që ta shpaguante!
Në këto kushte, shpresa e vetme e ndryshimit mbetet student. Ai që është edhe përfituesi apo humbësi direkt! Pavarësisht dështimit të protestave studentore të Dhjetorit 2018 prej manipulimit dhe përdorimit politik, protestat treguan ç’forcë e madhe ndryshimi, dhe mëndje brilante, qëndron prapa studentit qoftë si individ, qoftë si komunitet! Prandaj studenti mbetet forca e fundit, që mund të ndryshojë diçka në situatën aktuale në universitete! Sidomos në Universitetin e Tiranës! Barazimi i votës së studentit me votën e pedagogut është një nga mënyrat si mund të rivihet sërish në lëvizje fuqia ndryshuese e studentit! Është pra një mënyrë jokonvencionale se si mund të “çahet” blloku i drejtuesve të korruptuar dhe si mund ti hapet rruga ndryshimit të kësaj situatë katastrofike në universitetet dhe arsimin e lartë në Shqipëri. Tre arsye flasin në favor të fuqizimit të rolit të studentit përmes forcës së votës së tij.
Arsyeja e parë pro votës së plotë të studentit është se Studenti dhe Universiteti janë një. Universiteti nuk egziston në hava. Egziston si i tillë se është studenti, se ka studentë! Por një universitet i keqqeverisur, i korruptuar, i rrëgjuar në cilësi, nuk e rrit por e zvogëlon numrin e studentëve. Pa studentin, pa qënë i hapur ndaj nevojave dhe kërkesave të studentit, pa energjinë e studentit, çdo universitet është i destinuar të degradojë. Shkurt, universitetet sot, veçanërisht Universiteti i Tiranës, duhet ti kthehen studentit! Të kenë në qëndër studentin! Vetëm studenti mund ti nxjerrë ato nga gjëndja katastrofike! Në llumin ku i kanë zhytur drejtuesit sot universitetet, në morinë e të këqijave me të cilat universitetet përballen sot, studenti përfaqëson të keqen më të vogël. Pikërisht pse student e universitet janë një; pikërisht pse midis shumë të këqijave studenti përfaqëson për universitetin të keqen më të vogël, qoftë edhe me paditurinë e tij; pikërisht pse universitetet shqiptare kanë degraduar në gjëndjen aktuale, për të tre këto arsye, studenti meriton ti besohet një rol shumë herë më aktiv, më i fuqishëm, më parësor nga ai që i është lejuar deri tani në nxjerrjen e universitetit nga llumi ku gjendet tani! Nëse universiteti është e thënë të shkatërrohet, ky shkatërrim më mirë të vijë nga studenti sesa nga filistinët me kollare, injorantë, të ligj, pa morali shoqëror e profesional që kanë pushtuar universitetin.
Arsyeja e dytë pro votës së plotë të studentit është se drejtuesit dhe stafet akademike të universitetit kanë tradhtuar studentin, universitetin, misionin e arsimit, arsimin cilësor! Tradhtia e tyre ka qënë e përditshme, e pandalshme, pa pikën e vrarjes së ndërgjegjes. E udhëhequr nga mendësia e turmës “të gjithë kështu bëjnë, pse budalla jam unë të bëj ndryshe”, “qingji servil pi dy nëna, i drejti nuk pi asnjë”! Brënda universiteteve, numri i atyre që dëshërojnë të shohin një universitet ndryshe, dinjitoz, dhe në lartësinë që zgjon në mëndje vetë fjala “universitet” është jo vetëm i vogël, por edhe i pafuqishëm; është jo vetëm i mbytur nga mendësia e turmës por edhe i ndëshkuar nga mendësia dhe praktika feudale; është lënë jo vetëm në minorancë por edhe është tradhtuar! Në këto kushte, kjo bërthamë që sot hesht nga frika e ndëshkimit, për tu ringjallur ka nevojë për një aleat të fuqishëm. Studenti, mbetet aleati i tyre më i mirë dhe më efektiv! Ndaj një student me votë të plotë jo vetëm do mund të ndihmonte sjelljen e njerzve të pastër në krye të drejtimit të universitetit, por edhe do ti inkurajonte ata të mos fshihen më dhe të shprehnin hapur angazhimin e tyre.
Arsyeja e tretë pro votës së plotë të studentit është vetë pafuqia e deritanishme e Qeverisë Rama për të çarë rezistencën e forcave anti-reformë në universitete. Në këtë rast, po e marr për të “mirëqënë” sikur Qeveria Rama ka dashur megjithëmënd të “shpartallojë” klanet universitare por nuk ka mundur dot! Ky supozim vështirë se i qëndron testit të fakteve reale, pasi edhe qeveria Rama tregoi se zhvilloi po të njëjtat marrëdhënie klienteliste me drejtuesit e universiteteve si edhe qeveritë e mëparshme. Por për hir të argumentit, le të themi se qeveria Rama tentoi, por dështoi. Po prapë për hir të argumentit, le të themi se Qeveria Rama vazhdon të synojë shpartallimin e klaneve drejtuese në universitete. Për aq sa ky pohim mund të jetë i vërtetë, qeveria Rama nuk do mund të suksesojë pa u mbështetur tek studentët dhe futur ata në lojë. Atë që qeveria Rama nuk mundi ta realizojë as nëpërmjet Ligjit 80/2015 të Arsimit të Lartë, as përmes VKM-ve, mbase e realizon shumë më thjeshtë duke iu imponuar universiteteve barazinë e votës së studentit me atë të stafit akademik! Në realizimin e ndryshimeve në universitete dhe arsimin e lartë Qeveria ka përgjegjësi jo vetëm përpara shoqërisë në tërësi, por edhe përpara vetë studentëve!
3-SI E NDRYSHON GJËNDJEN VOTA E PLOTË E STUDENTIT?
Barazia e votës së studentit me votën e pedagogut do ti influenconte zgjedhjet e Majit 2020 të paktën në tre mënyra.
Së pari, një votë e plotë e studentit do ti jepte goditje praktikës quid-pro-quo mes kandidatëve për drejtues dhe pedagogëve votues. Deri më tani, studentët votojnë vetëm për zgjedhjen e Rektorit dhe Dekanëve por pesha e votës së tyre është vetëm 10 përqind. Vota e 10 studentëve që paguajnë për arsim cilësor vlen sa vota e një pseudo-pedagogu të punësuar për qokë nga Rektori apo Dekani i radhës! Ky model, në gjuhën e Platonit apo Aristotelit, nuk është ekuivalent i “demokracisë” por i “aristokakisë.” Imagjinoni vetëm kaq: Në Universitetin e Tiranës, më të madhin në numër pedagogësh dhe studentësh, zgjedhja e 50 drejtuesve të tij ka qënë deri më sot, në dorën e rreth 700 pedagogëve, ndonëse UT ka rreth 14 mijë studentë. Në universitete të tjerë, që janë më të vegjël se UT, numri i trupës së pedagogëve që zgjedh drejtuesit në emër të studentëve është akoma edhe më i vogël: 320 pedagogë tek Mjekësia, 300 pedagogë tek Bujqësori, 280 pedagogë tek Politekniku, 240 pedagogë në Elbasan, 220 pedagogë në
Durrës, 200 pedagogë në Vlorë, 200 pedagogë në Shkodër, 160 pedagogë në Korçë, 150 pedagogë në Arte, 120 pedagogë në Gjirokastër, 80 pedagogë në Sporte, 80 pedagogë në Albanologji, dhe 30 pedagogë në Akademinë e Sigurisë. Kuptohet fare qartë që kandidatët për drejtues nuk e kanë patur hiç të vështirë të “blinin” me premtime zgjedhjen e tyre. Imagjinoni sikur vota e 14 mijë studentëve në UT, apo ajo e 2000-5000 studentëve në universitetet e tjera më të vogla, të mos peshojë më 10 përqind, por 100 përqind! Në UT, kandidatëve do iu duhet të bindin jo 700, por 15 mijë votues! Po ashtu edhe në universitetet e tjera. Zgjerimi pra i bazës së votuesve nga një grusht i vockël pedagogësh në një elektorat akademik që përfshin studentë e pedagogë bashkë, do tia vështirësonte deri në pamundësi kandidatëve për drejtues, blerjen, korruptimin, manipulimin, apo garantimin e votave sipas mendësisë quid-pro-quo. Kostoja e blerjes apo korruptimit të votuesve do të rritej jashtëzakonisht shumë në kushtet kur korrruptimi i studentëve, ndonëse jo i pamundur, nuk është gjë edhe aq e kollajtë! Përfituesi direkt do të ishte jo vetëm studenti por edhe vërtetësia e konkurrencës, efektiviteti i modelit i zgjedhjes se drejtuesve, dhe cilësia e strukturave drejtuese të universitetit.
Së dyti, një votë e plotë e studentit do mundësonte ti hapej rruga njerzve të aftë, me vizion, nga brënda apo nga jashtë universitetit për të gjitha pozicionet, nga Shef Departamenti, tek Dekanët, e deri tek Rektori. Sepse të zgjedhurit për drejtues nuk do të ishin më as produkt kulisash të klaneve akademiko-politike as produkt i korruptimit financiar e profesional të një grushti pedagogësh votues. Teoria Aristoteliane e numrave të mëdhenj, nëse studentëve do tu njihej votë e plotë, do të vlente plotësisht edhe në kontekstin e rezultatit të zgjedhjeve në universitetet shqiptare. Rritja e bazës dhe numrit të votuesve duke i njohur studentit votë të barabartë me atë të pedagogut do të garantonte jo vetëm një shkallë subjektivizmi më të vogël, por edhe një proces dhe rezultat më cilësor. Nëse deri më tani, studentët mund të kenë parë të zgjidhen Shefa Departamentesh, Dekanë, apo Rektorë edhe njerëz krejt të paaftë, pa ide. Me njohjen studentit të së drejtës së votës së plotë, zgjedhjet për drejtues edhe mund të rezultonin në ”fitoren” e ndonjë kandidati të paaftë.
Por është e sigurtë, që ndryshe nga sa ka ndodhur deri tani, vota e tyre do mund ti hapte rrugë edhe njerzve të aftë që deri më tani e kanë patur të pamundur të suksesojnë në kushtet e kulturës quid-pro-quo. Studenti, megjithë mangësitë dhe problemet akademiko-performuese që mund ta shoqërojnë qënien e tij student, është plotësisht në gjëndje të dallojë nëse në auditor ka përpara një pedagog të aftë apo paaftë, një Shef Departamenti që preokuptohet vërtet për problemet e tyre apo i ka në fund të listës, një Dekan vizionar apo feudal-klientelist, një Rektor që punon për universitetin dhe arsimin cilësor apo për klanet akademiko-politike. Në të gjitha rastet, ndryshe nga pedagogët, studentët do të zgjidhnin atë që besojnë se është kandidati më i mirë jo sepse do ti urdhëronte apo do të ishin paguar nga dikush por sepse do të ishte në interesin e tyre akademik dhe profesional. Deri më sot, pedagogët kanë preferuar dhe zgjedhur për drejtues jo kandidatët që kanë premtuar të bëjnë gjëra konkrete në përmirësimin e situatës në mësimdhënie, kërkim shkencor, angazhime profesionale por kandidatë që ju kanë premtuar qetësi, rehati, pazare, apo favore. Ndryshe nga ata, studenti do të zgjedhin atë që shpalos ide të reja, përçon frymë optimiste dhe reformiste në funksion të një universiteti dhe arsimi cilësor. Pavarësisht nëse një kandidat i tillë do të vinte nga brënda apo jashtë universitetit, nga brënda apo jashtë Shqipërisë.
Së treti, një vote e plotë e studentit do ti mundësonte të gjithë forcave pro reformimit real të universitetit dhe arsimit të lartë, brënda apo jashtë qeverisë dhe universiteteve, të çanin murin aktual të frymës bllokuese dhe praktikave anti-reformë të forcave mosbesuese dhe rezistuese si brënda vetë universiteteve ashtu edhe brënda qeverisë Rama. Universitetet shqiptare nuk janë publike por shtetërore përsa kohë që burimi kryesor i të ardhurave të tyre janë buxheti i qeverisë dhe studentët. Këtë karakter nuk ka mundur ta ndryshojë as vetë Ligji 80/2015 i Arsimit të Lartë, as praktikat konkrete në jetën reale dhe funksionimin e tyre të përditshëm. Qoftë fjalët e qeverisë për “pavarësi”, qoftë pretendimet “wishful thinking” për pavarësi të Artan Fugës, janë thjesht një retorikë që nuk përputhet as me statusin aktual juridik të universitetit, as me përmbajtjen e marrëdhënieve të përditshme mes Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve.
E thënë shqiptarçe, pedagogët dhe drejtuesit e universiteve janë rrogtarë të qeverisë, jo rrogtarë të studentëve. Me rroga mizerabël. Që nuk mund tia rrisin rrogën vetes. Por me rrogë të garantuar nga qeveria! Imagjinoni vetëm kaq: Një muaj të mos ua garantojë rrogën qeveria, pedagogë e drejtues mbetën si peshku pa ujë! Gjë që edhe ka ndodhur! Por imagjinoni nëse Qeveria Rama do ti hiqte fare financimin universiteteve publike për shkak të performancës katastrofike, keq-qeverisjes, mos-dhënies së llogarisë, refuzimit, dhe pabindshmërisë që kanë treguar drejtuesit e universiteteve ndaj VKM-ve të nxjerra fill pas protestave studentore. A do të “mbijetonin” dot universitetet? A do pranonin studentët të mbanin në kurriz të tyre dhe paguanin drejtues dhe pedagogë që veç për studentët dhe arsimin cilësor nuk iu kërcet fare?
Prandaj në kushtet e karakterit shtetëror të universiteteve, është plotësisht në të drejtën e qeverisë që jo vetëm të mbikqyrë dhe kërkojë llogari, por edhe ti urdhërojë universitetet dhe ndërhyjë direkt kurdoherë që sheh se universitetet as që vënë ujin në zjarr të jenë të përgjegjshme jo thjesht ndaj saj por më së pari ndaj studentëve! Një mënyrë se si Qeveria Rama mund ta ushtronte këtë të drejtë do të ishte detyrimi i universiteteve që në zgjedhjet e ardhshme të Majit 2020 vota e studentëve të ketë peshë të njëjtë me votën e pedagogëve.
Perfitues nga kjo gjë nuk do të ishin vetëm studentët, universiteti, dhe arsimi cilësor por edhe vetë Qeveria Rama dhe pretendimet e saj për reformimin e arsimti të lartë dhe arritjen e rezultateve. Në kushtet kur Qeveria Rama e ka gjetur të pamundur eleminimin e praktikës së zgjedhjes së drejtuesve në universitete, çdo angazhim konkret i saj që vota e studentëve të jetë e barabartë me atë të pedagogëve, do ti jepte asaj të paktën të drejtën për të pretenduar se përveç uljes së tarifave, ka realizuar edhe një prej kërkesave të protestave studentore të Dhjetorit 2020 për rritjen e peshës së votës së studentëve dhe rolit të tyre në proceset universitare. “Kostoja” e realizimit të këtij premtimi është vetëm një VKM e re! Impakti i realizimit të kësaj të drejte, i kthimit të universitetit studentit, mund të jetë i jashtëzakonshëm!