Nga Artur Ajazi
Ata që sot dalin dhe akuzojnë, denoncojnë, dhe gjoja u vjen keq për “degradimin” e sistemit arsimor në Shqipëri, ata që deri dje i shembën “kollonat” sistemit arsimor duke e lënë pa themele, sot vajtojnë dhe hiqen sikur vijnë nga Marsi. Në fakt Partia Demokratike, kurrë nuk ka ditur të reformojë, por thjesht të degradojë. Kjo ka ndodhur me drejtësinë, ekonominë, shëndetsinë, ushtrinë, policinë, dhe nuk kishte si të mos ndodhte me arsimin.
Në ka fushë, ku Partia Demokratike, e ka goditur me dashje për ta rrënuar nga themelet sa ishte në pushtet, ishte arsimi. Kjo ka nisur në fakt qysh nga viti 1992, dhe ka vazhduar deri në 2013. Ajo që PD e quante “hapja” e arsimit, nuk ishte gjë tjetër veçse degradimi sistemit arsimor, duke nisur nga cikli fillor, 9-vjeçar, shkollat e mesme dhe “grushtin” e fundit ja dhanë arsimit të lartë. Metoda e shitjes dhe blerjes së diplomave dhe provimeve me 100 mijë lekë, ka lindur qysh pas 1992 në shkollat dhe universitetet e vendit. Gjithçka u kthye në biznes, duke nisur nga punësimi mësuesve, drejtorëve, dhe pranimi dhe ecuria e studentëve në universitete.
Ata që sot i turren ministres së Arsimit, që e akuzojnë dhe i kërkojnë dorëheqjen, deri dje përkrahnin dhe mbështesnin format dhe metodat e degradimit të sistemit arsimor, duke bërë eksperimente nga më qesharaket me shkollat dhe stafet e mësuesve. Mjafton të përmendim punësimin që ishte kthyer në treg matrapazësh në DAR-e, apo “kartelat” me të cilat u pajisën mësuesit që për disa vite u kthyen në arbitra futbolli, apo të përmendim mbylljen massive të shkollave në qytete dhe fshatra duke lënë pa arsimuar qindra e mijëra fëmijë. Rrënimi infrastrukturës shkollore, ishte një kapitull më vehte për çdo ish-ministër Arsimi qysh nga 1992 apo edhe në 8 vjeçarin e pushtetit të PD, nga 2005 deri në 2013. Pikërisht në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike , ndodhi braktisja masive e shkollave, ndodhi shkatërrimi i qëllimshëm i tyre, edhe në zona dhe fshatra ku dikur rilindasit kishin vaditur me gjak abetaret shqipe.
Mjafton të përmendim fshatin Luaras apo dhe Frashër, dy simbolikat e emrave të mëdhenj të gjuhës shqipe, që pikërisht në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, mbetën pa shkolla. Madje bustin e Petro Nini Luarasit, e gjymtuan qëllimisht njerës që kishin mbrojtje nga dega lokale e PD në Ersekë. Bëmat e ish-ministrave dhe ish-drejtuesve të arsimit në qendër dhe rrethe gjatë qeverisjes së PD, mbeten njolla turpi për krejt aistemin arsimor.
Goditja e pamëshirshme, ju bë sidomos arsimit të lartë, ku korrupsioni ishte kryefjala e e shumicës së pedagogëve në universitete. Madje tregojnë barcaleta të tilla, që çdo pedagog kishte në zyrë kuti biskotash bosh, dhe që në fund të çdo dite kur kishte provime, e mbushte me para studentësh. Dhe kjo ka ndodhur në pothuajse të gjitha universitetet e vendit asokohe. Natyrisht ndodh edhe sot, por masiviteti këtij fenomeni e kishte burimin tek qeverisja e mbrapshtë e asaj partie.
Ti kërkosh sot ministres “largohu” , dhe të mos i njohësh arritjet, ti kërkosh sot ministres “largohu” dhe të mos i njohësh vehtes mëkatet, natyrisht do të thotë të mohosh periudhën e katastrofës në arsim. Pas çdo dështimi, pas çdo telashi dhe kaosi në të cilën zhytej sistemi arsimor në kohën e qeverijes së PD, padyshim “fajtori” ishte “implementimi i gabuar i sistemit”.
Pas çdo afere apo skandali që zbulohej me titujt akademikë, ku 90 per qind e pedagogëve u bënë “doktorantë”, gjithmonë “fajtori ishte sistemi i gabuar”. Por sot ata që gabuan dhe e shkatërruan arsimin sa ishin në pushtet, bëjnë “specialistin, të diturin”, dhe harrojnë se janë mëkatarët dhe shkaktarët kryesorë të një krimi të bërë me vetëdije të plotë, në dëm të brezave që vijnë.