Policia e shtetit ka publikuar emrat e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim, si objekt i punës së Njësisë së Kërkimit. Ata janë tre persona të shpallur në kërkim për vrasje, fotot e të cilëve janë shpërndarë jo vetëm në pikat kufitare shqiptare, por kërkohen në të gjithë botën.
I pari në listën me tre emra të nxjerrë sot nga Policia ëhstë Gentian Sula, i njohur edhe me emrin Eugen. Sipas dosjes në ngarkim të tij, në datën 19 mars të vitit 1997 në lagjen nr. 5 në Korçë, shtetasi Gentian (Eugen) Sula, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri, në banesën e tij shtetasin B. F. dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka gjetur vdekjen edhe bashkëpunëtori i Gentianit, shtetasi D. B.
Gentian (Eugen) Sula është dënuar nga Gjykata e Apelit Korçë, me 25 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
I dyti është Besnik Lamçja. Ky person në datën 27 qershor të vitit 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Besnik Lamçja në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U.
Besnik Lamçja është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja me armë”.
I treti është Kujtim Qordja. Në datën 17 janar 1999, në vendin e quajtur “Ura e Babrroit”, shtetasi Kujtim Qordja ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. U. (H). Kujtim Qordja është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.