Një ditë pasi Presidenti i Republikës thirri një protestë kombëtare në datën 2 mars, protestë e cila do të mbahet vetëm pak ditë përpara se Samiti i Zagrebit të diskutojë për hapjen e mundshme të negociatave të anëtarësimit, Partia Demokratike rikthehet të bojkotojë reformën në drejtësi.
Ditën e sotme, në tryezën e përbashkët të reformës zgjedhore, përfaqësuesit e PD ngritën një propozim që mund të shndërrohet në një pretekst për braktisjen e re të tryezës dhe institucioneve, çka do të rikthente një situatë konfliktuale në politikën shqiptare.
Kjo, sepse për PD, gjyqtarët që do të bëhen pjesë e Kolegjit Zgjedhor, instancës më të lartë që mbikqyr mbarëvajtjen e zgjedhjeve, nuk duhet që detyrimisht të kenë kaluar vetingun.
Një lëvizje e tillë ngre dyshime se pas propozimit të PD fshihet qëllimi për të emëruar në këtë instancë njerëz të kapur, të cilët e kanë të pamundur të kualifikohen nëse kalojnë në sitën e vetingut.
Një propozim i tillë është qartësisht i papranueshëm dhe në pritje të zhvillimeve të reja, rrezikon të shndërrohet në një “mollë” të re sherri, përmes të cilës PD mund të justifikojë bllokimin e reformës zgjedhore, një kusht thelbësor për avancimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Një tjetër qëndrim që tregon mungesën reale të vullnetit të Partisë Demokratike për të gjetur kompromis është kushti që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me një qeveri tranzitore.
Vendosja e kushteve të pamundura për t’u realizuar është një taktikë që duket se ka si qëllim të vetëm rikthimin e vendit në kohë një vit më parë, në momentin e protestave të dhunshme që u shndërruan në një argument kryesor për partitë euroskeptike në Europë, për stopimin e procesit të integrimit.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste u shpreh e gatshme të konsiderojë një numër propozimesh të tjera të paraqitura ditën e sotme në takim, si disa propozime për rolin e policisë në zgjedhje, raportimet, ruajtjen e rendit publik rreth qendrës së votimit, e një numër ndryshimesh mbi akte ligjore e nënligjore në fuqi. /Lexo.al