EKSKLUZIVE/ Ish-kryeminstri Berisha tashmë është i njohur për qëndrimet e tij të ndryshme në kohë të ndryshme. Janë të shumta rastet kur ai ka kundërshtuar vetveten, duke i përshtatur qëndrimet politike sipas interesave të momentit. Ai ka tentuar dje të ndërhyjë edhe në debatin për çështjen ndryshimit të kodit zgjedhor, duke kundërshtuar në dukje qëndrimet e kryetarit të PD Lulzim Basha.
Gjatë një interviste për ABC NEWS ai në fakt ka kundërshtuar vetëm propozimin e Bashës për një sistem zgjedhor me prim, ku partia e parë, për stabilitet qeverisës, merr edhe disa mandate shtesë deputetësh. Sipas deklaratave të Berishës në ABC NEWS, “sistemi zgjedhor me prim që partisë së parë i jep një numër që mund të qeverisë në mënyrë të qetë, ka një të metë të madhe, sepse 1/3 e zgjedhësve janë me partitë e tjera dhe në këtë mënyrë u vihet viza. Kjo nuk më duket normale”.
Por këto qëndrime të tij, që duket sikur marrin në mbrojtje partitë e vogla, duke u bërë indirekt “ombrellë” për LSI-në, më shumë janë kundërshti ndaj Bashës dhe asaj çfarë ka deklaruar kohë më parë. Pasi zoti Berisha është i pari politikan që ka folur në favor të sistemit elektoral me prim.
Më 11 tetor të vitit 2002, pas një takimi që ai dhe ish- kryeministri Fatos Nano zhvilluan së bashku në zyrën e ish-Presidentit konsensual, Alfred Moisiu, Berisha deklaroi se “vendi ka nevojë për një sistem zgjedhor me prim”. Këtë ide ai ai e argumentoi me faktin se “vendi duhet të ketë një qeveri stabël, që të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”. “Në këtë kontekst, jam plotësisht dakord me një sistem të plotë mazhoritar, ose me një sistem propocional me prim, i cili partisë së parë, i jep liri që atë fitore ta shndërrojë në një mandat stabël, solid, për të qeverisur vendin. Sistemi i plotë mazhoritar, natyrisht partitë, të cilat nuk janë parti të përqindjeve që kapin mazhoritarin, i penalizon. Kjo është arsyeja për të cilën, them se do të jetë një kalë beteje për PD-në, kurse sistemi tjetër që jep primin partisë së parë që fiton zgjedhjet që nuk e lë atë në varësi të partisë së dytë apo të tretë, më duket se nuk lidhet shumë me pragun”, deklaronte Berisha.
Përpjekja e tij sot për t’u dukur sikur po merr në mbrojtje partitë më të vogla, duke filluar që nga LSI etj., të cilat me të drejtë mund të shqetësohen nga lëvizjet e pragut, më shumë sesa një realitet, është thjeshtë një tentativë për të krijuar një iluzion optik, pasi po vetë Berisha në vitin 2002 deklaronte se “nuk ka rëndësi shumë pragu, sepse pastaj nëpërmjet ligjit elektoral, mund të përcaktohet numri i deputetëve që merr më tepër ajo forcë politike që kap këtë përqindje, kështu që pavarësisht nga pragu, partia e dytë apo e tretë duhet të pranojë, të sakrifikojë, në mënyrë që vendi të qeveriset dhe herë tjetër ta marrë pushtetin ajo dhe të gëzojë favoret”.
Nisur nga këto deklarata bëhet e qartë se më shumë sesa parimore, qëndrimet ku Berisha kundërshton vetëm…Berishën dhe Bashën, janë thjeshtë çështje të interesit të ditës. Hapja e debatit për “sistemin zgjedhor me prim” nga Basha dhe Berisha, për momentin është thjeshtë tezë diversioni. Ata po përpiqen të mbjellin me anë të kësaj zhurme, një furtunë të vogël brenda maxhorancës së majtë.
(javanews.al) Me. Ar