Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë vazhdon të mos i njohë diplomat e mbi 1000 shtetasve të Kosovës, që kanë mbaruar studimet në universitetet private në Shqipëri, përkundër marrëveshjes së arritur mes dy qeverive në mars të këtij viti, që ka të bëjë me njohjen reciproke të diplomave. Këshilltari i ministrit të Arsimit në Kosovë, Faton Fetahu tha për Top Channel se, e gjithë kjo vonesë zbatimi e marrëveshjes është për shkaqe procedurash ligjore, por – sipas tij, – zgjidhja është çështje ditësh.
“Fakti që nuk po zbatohet, ka qenë një shqyrtim ligjor i kësaj çështjeje, sepse ligji për arsimin e lartë parashikon mundësinë që t’u njihet diploma vetëm atyre vendeve, që organet akredituese të tyre janë të anëtarësuara në ENQA apo organe të tjera. Mirëpo në të njejtën kohë, ky ligj parashikon edhe mundësinë e njohjes së diplomave në marrëveshje ndërshtetërore me palët e treta, që në këtë rast është me Shqipërinë. Ministria e Arsimit është pothuajse në fazën përfundimtare të përgatitjeve teknike operative për njohjen e këtyre diplomave, rast pas rasti, dhe mendojmë që është çështje ditësh fillimi i njohjes së këtyre diplomave”, tha Faton Fetahu, këshilltar i ministrit të Arsimit.