Moderatorja britanike Caroline Flack u gjet e vdekur në apartamentin e saj në Londër në moshën 40-vjeçare.
Ngjarja ndodhi një ditë pas Shën Valentinit dhe familja konfirmoi se është vetëvrarë.
Në një shkrim të publikuar pas vdekjes, prezantuesja sqaron rastin kur u arrestua për sulmin ndaj të dashurit Lewis Burton duke thënë se ishte vetëm aksident.
“Më 12 dhjetor 2019 u arrestova për sulm ndaj të dashurit tim … Brenda 24 orëve e gjithë bota dhe e ardhmja ime u shembën në këmbët e mia dhe të gjitha muret që kisha ndërtuar rreth meje prej kaq kohësh, u shembën. Papritur unë jam në një skenë tjetër dhe të gjithë po e shohin atë që po ndodh.
Unë gjithmonë kam marrë përgjegjësinë për atë që ndodhi atë natë, por e vërteta është se ishte një aksident. Kam pasur kriza emocionale për një kohë shumë të gjatë.
Por unë NUK jam abuzuese në familje. Ne patëm një argument dhe ndodhi një aksident. Një aksident. Gjaku që dikush e publikoi në gazetë ishte gjaku im. Kam humbur punën time. Shtëpinë time. Aftësinë time për të folur“, shkroi Caroline.
Më pas vijoi duke thënë se e kaloi çdo ditë duke u fshehur e duke u munduar të shmangë njerëzve.
“Më vjen shumë keq për familjen time, për problemet që u kam sjellë dhe për gjërat që miqve të mi iu desh të kalojnë.
Nuk po mendoj se si do të rikthehem në karrierën time. Unë jam duke menduar se si do të kthehem në jetën time normale, te familja ime“, përfundoi shkrimi i saj.