Pesë personat e arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës kërkojnë lirinë në Apel. Por kjo gjykatë pritet që të shpallë moskompetencë dhe do ta dërgojë në SPAK. Shkalla e parë në datë 31 Janar vendosi që të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe të lerë në burg pa afat; Bajram Hajrin, Leonard Hajrin, Elton Hajrin, Olsi Turjan dhe Festim Bexhdili. Për ngjarjen e rëndë vijon të jetë në kërkim, Altin Hajri, që është edhe pronari i resortit luksoz që u sekuestrua nga OFL-ja.
Pesë të arrestuarit akuzohen për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në Shkallën e parë gjatë seancës të arrestuarit mohuan akuzat dhe u shprehën se kompleksi ‘Golden’ ku u dërgua pas rrëmbimit dhe më pas u nxor i vdekur Jan Prenga, nuk është hapur për shkak të dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26-nëntorit.
Por pamjet e kamerave të sigurisë rrëzojnë dëshmitë e të arrestuarve. Shqiptarja.com ka publikuar pamjet që tregojnë momentin e futjes dhe nxjerrjes së trupit të Jan Prengës nga kompleksi, që u mor peng në Kamëz më 17 janar të këtij viti. Rrëmbimi i Prengës ka ardhur për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar.
Ky i fundit është arrestuar në Angli. Në kërkim janë shpallur të paktën 11 persona ndërkohë që Report Tv ka mundur të zbulojë edhe tre prej kokave që kanë porositur rrëmbimin e Jan Prengës, i cili humbi jetën pas dhunës së ushtruar nga pengmarrësit, Gentian Doci si dhe M. Bajri nga Shkodra dhe Dritan Rexhepi nga Vlora, i cili është person në kërkim për vrasjen e dy efektivëve të policisë në Shqipëri, ndërkohë që aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Quito të Ekuadorit, për trafik droge. /shqiptarja.com/