Kryeministri Edi Rama ka folur pas Konferencë së Donatorëve duke e cilësuar shumën e marrë nga prej 1.15 miliardë euro përtej pritshmërive dhe kaloi edhe skenarin më optimist të hartuar nga qeveria e tij. Ai tha se maksimumi që prisnin të merrnin ishte 130 milionë euro grante dhe 600 milionë euro kredi.
“Ne kemi bërë punë me laps nga 0 deri te një plan optimist dhe 1.15 miliardëshi ishte përtej pritshmërive. Në një skenar të frymëmarrjes së lehtë për ne ishte të merrnim 300 milionë euro kredi dhe 80 milionë euro grante. Skenari më optimist ishte të merrnim 130 milionë grante dhe pjesa tjetër, 600 milionë euro kredi. Ajo që morëm ishte përtej suksesit”, tha Rama në ‘Real Story’.
Në lidhje me ekzekutimin e fondeve për rindërtim, Rama tha se qeveria nuk do të administrojë asnjë qindarkë, por do të bëhet përmes mekanizmave transparente, ku do të ketë edhe përfaqësues të donatorëve. ‘Ne nuk do të administrojmë asnjë qindarkë, në një rreth të mbyllur qeverie.
Kemi ndërtuar një mekanizëm për zbatimin, pjesë e të cilës do të jenë edhe donatorët. Opozitën nuk do ta ftojmë, pasi oponencë do të kemi ata që kanë dhënë paratë’, tha Rama.
Kryeministri shtoi se dhe Akademinë e Transparencës e ka kërkuar ai gjatë vizitës në SHBA. ‘Akademinë e Transparencës e kam kërkuar unë kur isha atje dhe jo SHBA.’