Të gjitha anijet që vijnë nga vendet perëndimore për tu përpunuar në portin e Shëngjinit, kontrollohen imtësisht nga autoritetet portuale dhe ato shëndetësore. Këto masa sigurie kanë ardhur si mënyre parandalimi, pas përhapjes së koronavirusit të ri kryesisht në Kinë.
Drejtori i Portit të Shëngjinit Gjergj Prendi ka bërë të ditur se deri tani nuk janë konstatuar raste të dyshuara me koronavirus, ndërsa kontrollet do të jenë prezente deri në tejkalimin e kësaj situate.
“Në zbatim të urdhërit të ministrisë së Shëndetësisë kemi nxjerrë një urdhër për kontrollin e të gjitha anije që hynë në portin e Shëngjinit për tu përpunuar dhe ekuipazhit që janë në anije. Pas kontrolleve personat që kanë qenë në ekuipazh kanë rezultuar që nuk kanë probleme kanë shëndet të mirë”, tha Gjergj Prendi Drejtor i Portit Shengjin
Në portin e Shëngjinit hynë vetëm anije transporti pa pasagjer dhe kontrollet bëhen tek personat që ndodhen në ekuipazh, që janë shtetas nga vende të ndryshme të Evropës. (Shqiptarja.com)