Ursula von der Leyen është gruaja e parë në pozicionin e rëndësishëm të kryetares së BE.
Kjo nuk është hera e parë që ajo ka bërë histori, pasi në 2013, ajo u bë ministrja e parë femër e Mbrojtjes në Gjermani, një pozicion që ajo e mban edhe dhe sot.
Politikania e lindur në Bruksel ka qenë një aleate e ngushtë e kancelares gjermane Angela Merkel për disa vite dhe mendohej se në të ardhmen do të ishte pasardhësja e saj.
Megjithëse hyri vonë në politikë, von der Leyen nuk ishte e huaj në botën e politikës pasi babai i saj, Ernst Albrecht, ka qenë ministër-president i Saksonisë së Ulët dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Komisionit Europian, përpos pozicionesh të tjera.
Në moshën 13-vjeçare, ajo u shpërngul nga Brukseli në Gjermani me familjen e saj, dhe më pas vazhdoi të studionte ekonominë në Shkollën Ekonomike të Londrës, ndërsa më vonë mjekësinë me një specializim në gjinekologji në Hanover.
Në vitin 1986, ajo u martua me mjekun Heiko von der Leyen, një anëtar i familjes von der Leyen që bëri një pasuri të madhe si tregtare mëndafshi. Bashkëshorti i saj është profesor mjekësie, si dhe drejtor i Përgjithshëm i një kompanie inxhinierie mjekësore, të cilin e njohu në një kor universitar në Göttingen.
Ata kanë shtatë fëmijë, të lindur midis 1987 dhe 1999, diçka relativisht e rrallë në Gjermani, ku lindshmëria mesatare është 1.59 fëmijë për grua. Familja von der Leyen është anëtare Luterane e Kishës Ungjillore të Gjermanisë.
Ursula von der Leyen është folëse amtare e gjuhës gjermane dhe frënge por flet rrjedhshëm edhe anglisht, pasi ka jetuar për pesë vite në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara.
Ajo është një kalorëse e zonja dhe ka qenë pjesëmarrëse në disa gara me kuaj. Ajo jeton me familjen e saj në një fermë afër Hanoverit në të cilën disponojnë edhe një fermë kuajsh.
Von der Leyen hyri në politikë në moshën 43 vjeçare dhe ka qenë anëtare e partisë konservatore të Kristian Demokratëve të Merkel (CDU) që prej asaj kohe.
Ajo mbajti pozicione të ndryshme politike brenda rajonit të Hanoverit midis viteve 2001 dhe 2004, më pas u zgjodh në parlamentin e shtetit të Saksonisë së Ulët në vitin 2003, përpara se të bëhej anëtare e kabinetit si ministre për çështjet sociale, gratë, punët e familjes dhe shëndetin.
Von der Leyen u katapultua në peizazhin politik gjerman në vitin 2005, kur Merkel e emëroi atë si ministren e saj federale për çështjet e familjes, të moshuarit, gratë dhe të rinjtë.
Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh në Bundestag, ose në parlamentin gjerman federal si Ministre Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale deri në vitin 2013.
Gjatë qëndrimit të saj si ministre e mbrojtjes, pati disa akuza mbi departamentin e saj për dhënien e kontratave të dyshimta private lidhur me punësimin e dy firmave konsulente, McKinsey dhe Accenture.
Ajo më vonë u shpreh se ishin bërë thjesht disa gabime në ndarjen e kontratave dhe se ajo do të përpiqet të parandalojë që kjo të ndodhë sërish në të ardhmen përmes një sërë masash të reja.
Në vitin 2015, ajo u akuzua për plagjiaturë në tezën e saj të doktoraturës, por më vonë u pastrua nga këto akuza.