Tirana është e destinuar të rritet dhe si e tillë, nevoja për t’u zhvilluar është e madhe. Duke prekur çështjen e ndërtimeve në Tiranë në “Real Story”, kryebashkiaku Veliaj ka sqaruar edhe njëherë se shumica e lejeve të ndërtimit të dhëna janë për vepra publike, kurse vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit, lejet e dhëna e kalojnë shifrën 1 mijë pasi janë leje për riparimin ose ndërtimin e shtëpive të qytetarëve të dëmtuar nga fatkeqësia natyrore.
“Duhet të sqaroj disa gjëra. Sot kemi vetëm ndërtesa ikonike në zonën qendrore të Tiranës. Teksa flasim tani, nëse dalim nga kjo zyrë, po ndërtohet në rrugën e Kombinatit, po ndërtohet në rrugën “5 Maji”, kanë filluar punimet në zonën e “Blv. të Ri”… për një qytet që rritet me 30 mijë banorë në vit, pyetja është: Kush është ai që ka të drejtë të thotë – pas meje, asnjë tjetër? Ky qytet me 1 milionë banorë, sipas statistikave tona, vetëm 100 mijë mund të thonë që janë den-baba-den tironsa. 900 mijë të tjerët kanë ardhur nga diku tjetër dhe pyetja është: Kush është ai autoritet i cili thotë: tani që erdha unë, të mbyllet, të vihet trau për të tjerët. Ky qytet është i destinuar të rritet, për sa kohë që po rritet përtej unazës së 5-të. Sigurisht, një hotel me 5 yje do bëhet në qendër të Tiranës, se nuk mund të themi duam turizëm, por shkoni flini në Vorë”, u shpreh ai.
Sipas Veliajt, kënd lodrash që është ndërtuar në Tiranë, apo secila prej 20 shkollave të reja që po bëhen, është një leje ndërtimi. “Gjysma e lejeve në fakt, janë leje të punëve publike të bashkisë. Tani po japim, po procesojmë lejen e ndërtimit për zonën e Astirit, një tjetër betejë aty. Të krahasosh një bashki ku të 400 apo 500 lejet e ish-kryetarit ishin vetëm leje ndërtimi private, se nuk u bë asnjë punë publike, ndërkohë që sot te lejet e Bashkisë së Tiranës hyjnë edhe lejet e sheshit “Skënderbej”, edhe “Pazari i Ri”, edhe Blv. i Ri, gjithë ndërhyrjet te Liqeni. Kështu që, për sa kohë që bashkia punon, s’mund të punojë pa leje. Edhe për një urë në Lanë duhet një leje. Vetëm ura në Lanë kemi bërë 3 të reja”, tha ai.
Mandej, Veliaj shtoi se vetëm nga tërmeti i nëntorit janë dhënë 1 mijë leje ndërtimi për të ndërtuar shtëpitë e dëmtuara të banorëve. “Pra, i ka rënë një pjesë e avllisë, ajo është një leje ndërtimi. Në mbledhjen e fundi të Këshillit të Ministrave u prezantuan lejet 24 orëshe që jepen për rindërtim. Janë 1 mijë, nuk janë 1 mijë kulla, bëhet fjalë për 1 mijë shtëpi në fshat”, vijoi ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se premtimi i tij ka qenë se nuk do ketë ndërtime për sa kohë që Tirana nuk ka një plan urbanistik. “Morëm arkitektin më të mirë sot në botë, Stefano Boerin, për t’i bërë Tiranës një plan. Në momentin që Tirana ka një kushtetutë infrastrukture, që është Plani i Përgjithshëm Vendor, mbi këtë plan kemi vijuar. Ai që ishte këtu përpara meje ankohet për oligarkët, por s’ua rriti kurrë taksat. Unë jam kryetar bashkie që kam 10-fishuar taksat ata që këta i quajnë oligarkë”.