Pronarja e argjendarisë A. Balla rrëfen momentin kur grabitësi Astrit Thaçi u fut në dyqan duke u hequr si klient. Ajo rrëfen për mediet se grabitësi i nxorri armën duke i kërkuar florinjtë që kishte në sirtar. Më tej ajo tregon se në një moment që grabitësi po merrte florinjtë, ajo ka rrëmbyer armën e lënë në banak nga grabitwsi dhe ka dalë menjëherë duke u futur në një dyqan tjetër.
“Ishte ora 12 e drekës kur grabitësi u fut në dyqan. Fillimisht mendova se ishte klient. Kur po I tregoja unazat më nxori pistoletën dhe më kërkoi florinjtë. U futa në një dyqan tjetër, grabitësin nuk e pashë nga shkoi”, thotë A.Balla.
Pas daljes nga dyqani me pistoletën e Thaçit në dorë, pronarja ka bërtitur duke kërkuar ndihmë duke u futur tek lokali ngjitur argjendarisë. I pari që ka mbërritur për të ndihmuar ka qenë oficeri i policisë që gjendej tek dera e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Kjo, pasi argjendaria ndodhet vetëm 15 metra larg Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.
Astrit Thaçi u arrestua nga Policia më 15 shkurt. Ai u arrestua disa orë pasi grabiti një argjendari në qytetin e Elbasanit. Sipas Policisë Astrit Thaçi është një grabitës serial dhe ndaj tij rëndojnë të paktën 8 raste grabitjesh. Po ashtu 27-vjeçari rezulton i dënuar edhe në Itali me 7 vite heqje lirie, pasi edhe në këtë shtet ka kryer grabitje.
g.kosovari