Lorenco Vila vulosi sot fitoren për Teutën, në ndeshjen e fundit të javës së 22-të, duke afruar ekipin durrsak mes katër ekipeve pretendente për titull.
Fitorja e ngjit Teutën në kuotën e 35 pikëve, 7 më pak se Kukësi që kryeson garën dhe vetëm dy pikë pas Partizanit, skuadra që mban vendin e tretë. Tirana mban vendin e dytë me 41 pikë.
Një nga lojtarët kyç të sulmit të Teutës, Vila, 21 vjeç ka besim se në Durrës do të rikthehen edhe tifozët, pas ecurisë së fundit:
“Jam shumë i lumtur, jo vetëm për golin, por edhe 3 pikët sepse, sot ishin detyrim, duke ditur që vinim nga një barazim në fushën tonë me Luftëtarin një javë më parë”, – tha Lorencio Vila.
Si një ndër zbulimet e Teutës këtë sezon, Vila flet me shumë optimizëm për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
“Shpresoj që të shënoj më shumë. Unë të shënoj sa më shumë për Durrësin sepse është qyteti im. Preferoj që të luaj në sulm, ndihem mirë, si majtas ashtu edhe djathtas. Dua vetëm që të luaj, të jem në formë dhe t’i shërbej Teutës për realizimin e synimeve që kemi”.
“Tifozët duan rezultate, duhet që ne të luajmë sa më mirë dhe të arrijmë fitore në fushën tonë. Durrsakët e duan futbollin, ndaj edhe ne duhet që t’ua shpërblejmë me rezultate pozitive”, – tha Lorencio Vila, i cili ka shënuar 4 gola për Teutën këtë sezon.
Teuta-Vllaznia 3-1
Shënues: 23′ Hoxha ,44′ Todorovski ,46′ L.Vila/ 16′ Gurishta
Teuta: Frashëri, Kuro, Hoxha, Hrejliç, Todorovski, Aleksi, E.Vila, Çyrbja, Kallaku, L. Vila, Gomes. Trajner: Edi Martini
Vllaznia: Laço, Malota, Adili, Gligorov, Gurishta, Krymi, Hygor, Ramadani, Hristov, Xhunior, Lika. Trajner: Mirsad Jonuz
Gjyqtar kryesor: Olsid Ferataj