Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, i ka dërguar një letër drejtuesve të institucioneve kryesore në vendin tonë, lidhur me situatën e punëtorëve të stacionit të pompave në Poçwm tw Ballshit.
Siç dihet ata kanë hyrë në grevë prej disa ditësh, me pretendimin se kanë 27 muaj pa marrë rrogën, si dhe nuk iu janë paguar sigurimet shoqërore.
Në një letër drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, kreut të KLSH, Bujar Leskaj, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Avokatit të Popullit Erinda Ballanca shpreh shqetësimin për situatën e krijuar.
Ajo thotë se jemi përpara një momenti ku shkelja e ligjeve dhe të drejtave bazë të punonjësve janë flagrante.
“Agjencia shtetërore dhe përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që ka përgjegjësinë e monitorimit dhe ndjekjes së zbatimit të kontratës mes subjektit privat që administron stacionin dhe punonjësve ka qenë tërësisht jashtë funksionit dhe ka lejuar me vetëdije të plotë shkeljen për një kohë të gjatë të drejtave bazë të punonjësve”, thuhet në letrën e Kryemadhit.
Gjithashtu, kryetarja e LSI-së ka kërkuar marrjen e menjëhershme të masave nga agjencitë shtetërore, duke theksuar se përshkallëzimi i situatës do të sillte pasoja të rënda për mijëra banorë të Ballshit.
/a.r