Emanuel Egbo ka arritur të sjellë në vete pas shumë vitesh një skuadër si Tirana, që gjithmonë ka qenë në krye dhe pretendente kryesore për titullin kampion.
Pas një kohe të gjatë larg këtyre niveleve, është trajneri nigerian, që arrin të mbledhë një ekip “të hutuar” dhe ta dërgojë në krye të renditjes.
Megjithatë, kontributi i Egbo për Tiranën ka filluar 18 vite më parë, kur ai vinte për herë të parë në Shqipëri.
Në emisionin “Zona Gol” ai kujton fillimet e tij në vendin tonë dhe tregon përshtypjet e para të shqiptarëve ndaj një njeriu me ngjyrë. Gjithashtu zbulon se i kanë propozuar të luajë në kombëtaren e Shqipërisë, por ka refuzuar.
SHQIPËRIA- “Kam gati gjysmën e jetës sime në Shqipëri. Kam edhe nënshtetësi shqiptare, kështu që kjo është ndoshta edhe shtëpia ime e parë sepse kam vetëm dy motra në Nigeri dhe vetëm ata takoj atje. Prindërit nuk i kam dhe një vëlla jeton në Gjermani. Këtu e kam si bazën ku kam qëndruar më shumë kur jam larguar nga Nigeria. Tirana ka qenë klubi i parë kur kam ardhur në Shqipëri. Kam punuar edhe në Ballsh. Shqiptarët kanë pasur shumë gjëra të përbashkëta me Nigerinë.”
EVOLUIMI- “Mikpritja dhe respekti na bashkon, prandaj nuk është befasi që kam 18 vjet që jetoj në këtë vend. Ka shumë ndryshim Shqipëria. Në 2001 Shqipëria ka qenë shumë ndryshe dhe është përmirësuar shumë si në infrastrukturë edhe në mentalitet. Mbaj mend atëherë ishte koha pas trazirave dhe kishte shumë njerëz që nuk kishin parë ndonjëherë një njeri me ngjyrë. Mbaj mend kur dilja në qendër të Tiranës kur më shihnin disa njerëz sikur kam zbritur nga qielli. Në kohën e tanishme mund të bëj çfarë të dua dhe nuk i bën njeriu përshtypje, pasi vendi ka evoluar dhe kanë shëtitur nëpër Europë. Nuk është më problem kjo pjesë.
KOMBËTARJA E SHQIPËRISË- “Kur kam ardhur profesor Sulejman Mema dhe Shkëlqim Muça më kanë ndihmuar shumë. Pas disa ndeshjeve profesor Mema më ka propozuar të luaj për ekipin kombëtar të Shqipërisë dhe i kam thënë se nuk kam mundësi sepse jam me kombëtaren e Nigerisë. E falënderoj shumë sepse më ka ndihmuar shumë”, përfundoi Egbo.