Opozita jashtëparlamentare është takuar mëngjesin e sotëm me delegacionin e Komisionit të Venecias, që ndodhet në Tiranë për të mbledhur fakte lidhur me procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Takimi ka nisur në orën 8:15 në ambientet e hotel Rogner me kreun e PD, Lulzim Basha, nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili, Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi dhe ish deputetin Oerd Bylykbashi. Pas takimit Basha ka dhënë edhe një deklaratë për mediat.
“Takimi me ekspertët ishte shumë i frytshëm,. Shqipëria është në krizë të thellë kushtetuese. Shenjat janë lëvizjet e javëve të fundit që nuk pret as Komisionin e Venecias por çon për miratim akte të tjera që kapin kushtetetuën. Gjithçka në këtë vend kontrollohet nga një grusht njerëzish. Rruga e daljes është e qartë. Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Kjo është zgjedhja sot para shqiptarëve.
Zgjidhja që ne kërkojmë nuk e kërkojmë për veten tonë. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur një zgjidhje për shqiptarët. Opozita bashkë me qytetarët do marrin vendimet për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin”, u shpreh Basha pas takimit.
Në takim u diskutua në lidhje me çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pas precedentit Arta Vorpsit, e cila ishte dhe ‘shkaku’ që solli miratimin e ligjit në Kuvend, ku presidentit i vendoset një afat kohor për të thirrur në ceremoninë e betimi anëtarët e gjykatës Kushtetuese.
Me ligjin e ri që u miratua më 12 janar në parlament me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim, Presidenti Ilir Meta ka 10 ditë afat për të thirrur në ceremoni betimi një gjyqtar, nëse nuk e bën atëherë gjyqtari e dërgon vetë betimin me shkrim në Gjykatën Kushtetuese.