Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj mbrëmjen e sotme vizituan shtëpinë e re të familjes Çuka që është zhvendosur në Tiranë pas tragjedisë së 26 Nëntorit, ku humbën dy prej anëtarëve, Fatmira 44 vjeçe dhe Sardi Cuka 18 vjeç.
Bujar Çuka rikujtoi edhe njëherë momentet e tmerrit që kaloi. “Sapo dilja nga shtëpia, u shemb, dola me tuta, zbathur, u shemb komplet, u futa poshtë derës, ra komplet pallati në katin e dytë. Dola, nuk bëja dot asgjë. Tani mirë jam”, tha ai.
Kryeministri dhe kryetari i bashkisë theksuan se mbështetja do të vijojë për familjen Çuka edhe pas zhvendosjes në banesën 2+1 në Don Bosko. Ndërkohë që kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se edhe fëmijët e kësaj familje, shumë shpejt sikurse edhe fëmijët e tjerë të gjithë zonës Don Bosko do të kenë edhe dy shkolla të reja.
Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se në këtë zonë kanë nisur 2 nga 17 shkollat e reja, sikurse është shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” gjimnaz. “Pas këtyre vilave janë dy shkollat e reja të projektit të 17 shkollave, shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” gjimnaz.
I gjithë pellgu i fundit i Don Boskos do mblidhet në 2 mega shkolla. Pra janë rreth 3000 nxënës, 1500 njëra dhe 1500 tjetra, kështu që edhe zgjidhet gjithë problematika e kësaj zone”, theksoi Veliaj. /e.s/