Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Nga pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në bodrumin e resortit “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, shfaqen pengmarrësit dhe vrasësit e Prengës, teksa largojnë trupin e pajetë të 49-vjeçarit dhe përpiqen të fshijnë gjurmët e krimit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga “News24” fillimisht ata janë të maskuar, më pas teksa mbërrijnë në garazhin e resortit, me automjetin luksoz Range Rover, me të cilin rrëmbyen Prengën, e nxjerrin trupin e pajetë të tij dhe e fusin në një furgon të bardhë te mbyllur.
Burime pranë laboratorit kriminalistik thanë se të dyshuarit janë përpjekur të fshijnë të gjitha gjurmët e krimit, duke ndërruar rrobat dhe duke pastruar dyshemenë me solucion.
Ata shfaqen më pas duke dëmtuar edhe kamerat e sigurisë, por pa ia dalë mbanë. Pamjet e fiksuara nga kamerat në bodrum, i dhanë mundësinë grupit të hetimit të të identifikojë dhe më pas të 5 prej të dyshuarve, tyre, si dhe të shpallë në kërkim disa të tjerë, ndërsa Ardian Doçaj u vetëdorëzua.
Përmes pamjeve filmike, Policia e Tiranës arriti në konkluzionin se Jan Prenga është vrarë dhe dyshimet janë se trupi i pajetë i tij është groposur në rrethinat e Shijakut, edhe pse kërkimet e deritanishme për gjetjen e kufomës nuk kanë dhënë rezultat.
Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit në Kamëz dhe u fut në një automjet Range Rover, që i ishte vjedhur një këngëtareje tallavaje. Nga hetimet rezulton se rrëmbimi i tij u urdhërua nga krerët e disa grupeve kriminale, pasi vëllai i 49-vjeçarit kishte zhdukur një sasi të madhe kokaine që vinte nga Ekuadori.
g.kosovari