Nga Donald Low
Kriza që po ndodh e Novel Coronavirus-it është një shans për të reflektuar, mbi mënyrën si ne reagojmë ndaj riskut dhe pasigurisë, si dhe mënyrën se si qeveritë duhet të komunikojnë risqet, në një mjedis pasigurie dhe informacioni të paplotë dhe të papërsosur.
Ata që merren me shkencën e sjelljes, e kanë shprehur prej kohësh se njerëzit e kanë shumë të vështirë të mendojnë në terma statistikore apo probabiliteti, kështu që kanë theksuar një numër mënyrash se si reagimet e njerëzve largohen, prej asaj që parashikojnë modelet e zgjedhjes racionale.
Ndiqni pak këtë eksperiment të mendimit, i cili nganjëherë njihet si “problemi Linda”.
Linda është beqare, e drejtpërdrejtë dhe e angazhuar thellë me çështje sociale. Cila ka më shumë të ngjarë: A) Linda është menaxhere banke; apo B) Linda është një menaxher banke që është aktive në lëvizjen feministe? Studimet kanë zbuluar se shumica e njerëzve, instinktivisht zgjedhin opsionin B. Por nëse mendohemi pak, shumica prej nesh do të zbulojmë që opsioni B është një nënbashkësi e opsionit A, dhe për këtë arsye opsioni A është përgjigjja e saktë.
Pyetja – e konceptuar nga laureati i Çmimit Nobel për Ekonominë, Daniel Kahneman – dhe të tjera si ajo, tregojnë se ne zakonisht nuk mendojmë në aspektin statistikor apo probabilistik. Përkundrazi, ne mbështetemi në stereotipe dhe histori të nxjerra nga kujtimet tona, instinktet tona të zorrëve dhe reagimet tona emocionale – të njohura si “ndikimi deduktues”. Por këto shpesh janë të pabesueshme, veçanërisht në situata të reja dhe të panjohura. Gjithashtu, nëse një analizë shkencore ose teknike nuk përputhet me reagimet tona emocionale, instinktet ose vlerat subjektive, ne priremi të hedhim poshtë analizën teknike, dhe madje të gjejmë mënyra për ta diskredituar atë.
Kahneman e përdori problemin Linda për të ilustruar një shkurtesë mendore, që ne përdorim për të gjykuar gjasat e diçkaje, bazuar në lehtësinë me të cilën na është sjellë në mendje. Ky deduktim, parashikon që ne formojmë histori më të plota, të qëndrueshme bazuar në informacionin e kufizuar që kemi në dispozicion. Në këtë rast, ideja që Linda të jetë thjesht një menaxhere e bankës nuk është aspak një histori e mirë apo e qëndrueshme, bazuar në ato që dimë për të. Që ajo të jetë aktive në lëvizjen feministe krijon në mendjen tonë një histori më të mirë, më të qëndrueshme – kjo është arsyeja pse tërhiqemi instinktivisht në opsionin B. Për ta ilustruar më tej, konsideroni si do t’i përgjigjeshit pyetjes, po të mos ju kishin thënë se “Linda është beqare, e drejtpërdrejtë dhe e angazhuar thellë me çështje sociale”. Ju nuk do të kishit pasur probleme për të zgjedhur opsionin A. Në këtë rast, duke u dhënë njerëzve më shumë informacione – veçanërisht informacione të parëndësishme – ata u çuan drejt një vendimmarrje më të dobët.
Pra, si lidhet kjo me Coronavirusin, dhe me mënyrën se si njerëzit mendojnë për rreziqet e një sëmundjeje të re infektive?
Së pari, njerëzit kanë tendencë të reagojnë në mënyrë të mangët, para shpërthimit të një sëmundjeje të re infektive dhe të reagojnë me tepri, kur ndodh shpërthimi: ata janë të vetëkënaqur para një shpërthimi dhe shumë të frikësuar gjatë një shpërthimi. Kjo jo për shkak se njerëzit janë joracionalë. Ka të bëjë me faktin se para krizës, rreziqet e një sëmundje infektive janë të nënvlerësuar, sepse nuk janë të dukshëm. Në këtë drejtim, ne priremi të shohim rreziqet e një epidemie para se të ndodhë, në të njëjtën mënyrë si shohim rreziqet e ndryshimeve klimatike: të dy llojet e rreziqeve nënvlerësohen sistematikisht, sepse ndikimet e tyre janë të largëta dhe nuk ndjehen menjëherë. Kjo çon në neglizhencë të probabilitetit, miopi nga katastrofa dhe një optimizëm naiv, se nëse ndodh një shpërthim i një sëmundje infektive, ne do të kishim zgjidhjet qeveritare, mjekësore ose teknologjike për t’a përballuar atë.
Kur ndodh një shpërthim, rreziqet e një epidemie befas bëhen shumë të dukshme në mendjen e njerëzve, dhe ata mund të reagojnë ndaj saj me një shkallë frike, që nuk është në proporcion me rreziqet reale, apo dëmet e sëmundjes. Ndërsa njerëzit janë të vetëkënaqur dhe madje injorojnë paralajmërimet e autoriteteve shëndetësore në fillimin e çdo stine të gripit, energjitë e tyre mendore tashmë përqëndrohen me tepri, në çështjen më të folur të ditës. Deklaratat e qeverisë për luftë kundër një virusi “vdekjeprurës”, raportet në media për rritjen e numrit të personave të infektuar dhe vdekjeve, motori amplifikues i emocioneve të shekullit 21, që është media sociale, të gjitha kombinohen për të krijuar më shumë frikë dhe pengesa socio-ekonomike, sesa ato që sugjerojnë rreziqet aktuale të sëmundjes. Pasiguria në fazat e hershme të krizës, rreth asaj se sa ngjitëse dhe fatale është sëmundja, gjithashtu luan një rol të madh në krijimin e një cikli vetëpërforcues të frikës.
Së dyti, ne mbështetemi në sistemin tonë të kujtesës, që është selektiv dhe i prirur për gabime, kur mendojmë se si mund të evoluojë e ardhmja. Ekziston një bazë biologjike për këtë: pjesët e trurit që janë të angazhuara në kujtesën, janë të njëjtat pjesë që përdoren për të imagjinuar të ardhmen. Çfarë lidhje ka kjo me krizën aktuale? Gjithçka. Sepse në Azinë Lindore, njerëzit tërhiqen shumë nga kujtimet traumatike të epidemisë së sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (Sars) të vitit 2003, për të imagjinuar se sa i keq mund të jetë ky shpërthim i sotëm.
Sars është mitologjizuar si një pandemi e tmerrshme. Ishte një krizë që u skalit në vetëdijen e shumicës së shoqërive të Azisë Lindore, aq sa çdo gjë që të kujton Sars-in, të ngjall të njëjtat reagime të frikës dhe panikut. Ndërsa Dr David Baltimore, një fitues i Çmimit Nobel në mjekësi, komentoi gjatë krizës së Sars: “Njerëzit kanë reaguar ndaj tij me një nivel frike, që është e papërputhshme me madhësinë e problemit.” Sipas standardeve të pandemisë, Sars nuk ishte dhe aq ngjitëse apo vdekjeprurëse. Në të gjithë botën, më shumë se 8,000 njerëz u infektuan dhe pati një normë mesatarisht të lartë të vdekshmërisë: në mesin e atyre që u infektuan, rreth 9 përqind (ose afro 800 njerëz) gjetën vdekjen. Në krahasim me gripin spanjoll të vitit 1919, për të cilin shkencëtarët besojnë se vrau 50-100 milion njerëz në të gjithë botën, virusin Ebola, HIV, dhe epideminë e “gripit të derrit” H1N1 të 2009-2010, që vrau 245,000 njerëz në të gjithë botën, shkalla e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së Sars ishin modeste. Çdo vit, shumë më shumë njerëz në Hong Kong ose Singapor vdesin nga pneumonia, sesa numri i njerëzve që Sars vrau në secilin qytet.
Së treti, Teoria e Prospektit e Kahmenan parashikon që njerëzit reagojnë ndaj ngjarjeve me probabilitetit të ulët humbjeje, siç është rreziku i ulët i vdekjes nga Coronavirus-i, me një frikë të madhe ndaj rrezikut – më shumë se sa do të rekomandonte racionaliteti. Kjo do të thotë që njerëzit janë të gatshëm të paguajnë një çmim shumë të lartë për të shmangur ose eliminuar atë rrezik të ulët, pak a shumë ashtu si njerëzit paguajnë shumë për Siguracionin, kundër ngjarjeve katastrofike me rrezik të ulët – veçanërisht pasi ka ndodhur një e tillë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse shoqëritë janë të gatshme të përballojnë kostot e mëdha të përpjekjes për të frenuar Coronavirus-in e ri.
Së katërti, nga një këndvështrim evolucionar, ne jemi të prirur që të kemi frikë prej kafshëve që shkaktojnë vdekje dhe sëmundje – të tilla si gjarpërinjtë, minjtë, merimangat dhe lakuriqët e natës – edhe pse numri i vdekjeve që ato shkaktojnë, sot është shumë më i ulët se vrasësit modernë, si automobilët ndotës dhe armët. (Ky është një nga shembujt e shumtë se si truri ynë, nuk ka evoluar aq shpejt sa teknologjitë.) Prandaj jemi të prirur të reagojmë emocionalisht më shumë ndaj sëmundjeve që sjellin kafshët, sesa ndaj rreziqeve që paraqesin armët dhe makinat, edhe pse këto të fundit shkaktojnë shumë më tepër vdekje sot.
Së pesti, gjithmonë ekziston një element shoqëror, në mënyrën si ne reagojmë ndaj sëmundjeve të reja infektive. Një epidemi shpesh zbulon sesi sjelljet tona janë më shumë rezultat i normave dhe besimeve shoqërore, dhe i mentalitetit tonë të kopesë, sesa i vlerësimeve individuale të analizave të rrezikut dhe kosto-përfitimit. Kjo ka shkaktuar blerjen masive prej panikut, të maskave të fytyrës dhe madje edhe letrës higjienike.
Komunikimi i riskut
Çfarë nënkuptojnë këto njohuri të sjelljes, për mënyrën se si qeveritë duhet të komunikojnë rreziqet, në një mjedis pasigurie dhe informacioni të papërsosur?
Si rregull i përgjithshëm, qeveritë nuk duhet t’i shohin ose portretizojnë frikën dhe emocionet e njerëzve, si joracionale. Reagimet psikologjike të njerëzve – edhe nëse ato nxiten më shumë nga emocioni, sesa nga faktet dhe arsyetimi statistikor – janë produkte të evolucionit. Nuk është as realiste, as e mundshme të luftosh shekuj të tërë evolucioni, veçanërisht duke pasur parasysh pasigurinë në situata të tilla, si dhe mundësinë reale që faktet mund të ndryshojnë.
Në vend të kësaj, qeveritë duhet të pranojnë dhe të përditësohen me frikën e njerëzve dhe jo t’a injorojnë. Ato gjithashtu duhet të jenë të drejtpërdrejta, mbi atë që dinë dhe nuk dinë për sëmundjen, dhe duhet të komunikojnë dhe ndajnë këtë pasiguri me publikun. E gjithë kjo është e vështirë të bëhet, veçanërisht për një qeveri si kjo e Hong Kongut, që vuan nga mungesa e besimit prej popullatës. Por strategjia alternative e përpjekjes për të qetësuar publikun duke minimizuar rreziqet e një pandemie ka edhe më shumë të ngjarë të zvogëlojë besimin, veçanërisht kur deklaratat e sigurimit rezultojnë më vonë të gabuara.
Të pranosh dhe të respektosh rikën e njerëzve do të thotë gjithashtu që, në vend se të synojnë të eleminojnë krejt frikën, qeveritë duhet t’i tregojnë popullit se çfarë të presë dhe çfarë duhet të bëjë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke marrë parasysh që kjo krizë mund të zgjasë shumë muaj; madje mund të jetë përsëritëse. Në rastin e Sars, qeveritë në rajon qenë me fat. Sëmundja u largua gjatë muajve të ngrohtë dhe nuk u kthye më në sezonet e mëpasshme të gripit. Ne mund të mos jemi aq me fat me 2019-nCoV. Nga ana tjetër, duket se ndërsa ky Coronavirus është më i transmetueshëm se Sars, ai është shumë më pak fatal. Në të gjithë Kinën, shkalla e vdekshmërisë së sëmundjes është rreth 2 përqind; jashtë Vuhanit dhe Hubeit, shkalla e vdekshmërisë është nën 0.2 përqind. Për më tepër, shumica e atyre që kanë vdekur nga virusi ishin mbi moshën 60 vjeç, ose kishin kushte para-ekzistuese.
Rritja e numrit të infeksioneve, e kombinuar me nivelin relativisht të ulët të vdekshmërisë së sëmundjes, tregon mundësinë e vërtetë që strategjia e frenimit që ka zgjedhur Kina, bazuar në përvojën e Sars-it, mund të mos funksionojë. Nëse është kështu, ajo në fund mund të zhvendoset nga një strategji e kontrollit, në atë të zbutjes dhe lehtësimit të ndikimeve të sëmundjes. Zbutja do të nënkuptojë përqendrimin e përpjekjeve të sistemit të kujdesit shëndetësor, në uljen e shkallës së vdekshmërisë së rasteve, ndërsa do të pranohet se do të ketë përhapje të virusit në komunitet.
Ky nuk është një qëndrim fatalist apo mposhtës; është thjesht njohje e faktit që kontrolli dhe frenimi nuk funksionon, që ne e kapërcyem pjesërisht Sars-in sepse ishim me fat nga karakteristikat e tij epidemiologjike – nuk ishte aq ngjitës dhe pacientët ishin infektues, vetëm pasi shfaqnin simptoma – dhe një pranim që kostot e kontrollit dhe dëmeve që shkakton kjo strategji në jetën e përditshme, janë thjesht shumë të larta në krahasim me atë që mund të arrijë.
Një vendim për të kaluar nga frenimi tek zbutja mund të jetë shumë jopopullor. Shumë njerëz gjithashtu duan që qeveritë e tyre të marrin, ose të shihet se po marrin masat më të ashpra, më agresive të frenimit, edhe nëse ato masa nuk funksionojnë. Ata përqendrohen tek humbjet – infeksionet dhe vdekjet – e shmangura si rezultat i strategjisë së frenimit dhe kontrollit, ndërsa injorojnë humbjet potencialisht shumë më të mëdha të gjendjeve të tjera mjekësore më të përhapura, të cilat nuk trajtohen si rezultat i burimeve të kujdesit shëndetësor, të devijuara për t’u marrë me Coronavirus-in e ri, humbjet në prodhimin ekonomik dhe ndërprerjet në jetën normale.
Eshtë ende shumë herët për të deklaruar se strategjia e kontrollit dhe frenimit në Kinë ka dështuar. Në këtë pikë, çdo zyrtar që guxon të thotë “le të mësojmë të jetojmë me këtë virus”, do të dëbohej nga masat e trembura. Por ndërsa ende nuk është koha për të deklaruar se kontrolli ka dështuar, nuk është shumë herët që qeveritë të fillojnë të planifikojnë për strategjinë e zbutjes, dhe të përgatisin popullsinë e tyre për të. Kjo fillon me komunikimin e mundësisë që ndryshe nga Sars-i, ky Coronavirus i ri të mos zhduket, dhe se ne duhet të mendojmë se si të bëjmë një jetë sa më normale – ndërkohë që marrim masat paraprake të shëndetit publik dhe higjenës personale për të minimizuar përhapjen e këtij virus – duke ditur që, virusi mund të mos eliminohet kurrë. Shkurt, qeveritë mund të duhet të fillojnë të komunikojnë që ky Coronavirus i ri është këtu për të qëndruar, se nuk është si Sars-i, por shumë më tepër si H1N1, dhe se duhet të përshtatemi me të.
Donald Low është Profesor i Praktikës në Politikat Publike në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong dhe drejtor i programit të Edukimit Ekzekutiv për Udhëheqje dhe Politika Publike. Ai është gjithashtu redaktor i “Ekonomia e Sjelljes dhe Hartimit të Politikave: Shembuj nga Singapori”, botuar në 2011.
Bota.al