Shqipëria mund ta rrehë, apo deri dhe ta zhdëpë Luksemburgun në futboll. Por në paga është e turpëruar para këtij vendi të vogël europian, ku njerëzit kanë “xhepat plot”.
Kështu, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, pagat minimale në Evropë variojnë nga 213 euro në Shqipëri deri në 2,142 euro në Luksemburg.
Paga minimale përcaktohet me ligj në shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe në disa vende të tjera të Evropës. Në vendet ku paga minimale nuk është e përcaktuar me ligj, një llogaritje bëhet sipas numrit të zakonshëm të orarit të punës në muaj.
Shifrat e fundit tregojnë se ndryshimet në pagën minimale në vendet evropiane janë shumë të mëdha.
Sipas Eurostat, në tetë vende evropiane paga minimale tejkalon 1.000 euro.
Luksemburgu me një “minimum” prej 2,142 eurosh pasohet nga Irlanda me pagë minimale 1,656 euro, Hollanda 1,636, Mbretëria e Bashkuar 1,599, Belgjika 1,594, Gjermania 1.584, Franca 1,539 dhe Spanja 1,050 euro.
Pastaj janë 10 vende ku paga minimale është midis 500 dhe 1.000 euro.
Përkatësisht, paga minimale në Slloveni është 941 euro, në Maltë 777, Greqi 758, Portugali 741, Poloni 611, Lituani 607, Estoni 584, Sllovaki 580, Republikën Çeke 575 dhe në Kroaci 546 euro.
Në fund të listës me pagë minimale më pak se 500 euro janë gjithsej shtatë vende evropiane: Hungaria me 487 euro, Rumania 466, Letonia 430, Serbia 343, Mali i Zi 331, Bullgaria 312 dhe Shqipëria me 213 euro.
Sipas Eurostat, paga minimale në Luksemburg, që është shumë më e larta në Evropë, është dhjetë herë më e lartë se në Shqipëri.
Nga vendet anëtare të BE-së, banorët e Bullgarisë, Rumanisë dhe Letonisë marrin pagën minimale më të ulët.
Nga ana tjetër, Luksemburgu vijon “me forcë” në krye të listës së vendeve evropiane për vite me rrogën minimale. Në këtë vend të vogël me një popullsi prej rreth 602,000, paga minimale në vitin 2015 ishte 1.923 euro, dhe çdo vit rritet rregullisht, derisa vitin e kaluar tejkaloi shifrën magjike prej 2,000 për herë të parë, më saktë, duke arritur në 2.089 euro.
Po ashtu është interesant fakti që paga minimale në Luksemburg është rritur me 219 euro në pesë vitet e fundit, që është më e lartë se paga minimale aktuale në Shqipëri prej 213 euro.