Eksperti virolog në SHBA, Arban Domi, i tha Zërit të Amerikës se zhvillimi i një vaksine kundër koronavirusit kërkon shumë muaj punë, por edhe pas kësaj duhet kohë deri sa vaksina të ketë hyrë në prodhim masiv.
Dr. Domi, i cili është drejtor i Departamentit për Zhvillimin e Vaksinave në firmën bioteknologjike GeoVax, pranë qytetit Atlanta në shtetin amerikan të Xhorxhas, i tha me Skype Zërit të Amerikës se virusi i ri përhapet më shpejt se sa gripi, por edhe pse është një virus më pak i njohur, nuk ka vend për panik.
Dr. Domi punon prej vitesh në fushën e virologjisë.
Ai thotë se është detyra e punonjësve të shëndetit publik që të njohin simptomat e koronavirusit të ri për të sensibilizuar njerëzit.