Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të shtune në Korinth të Greqisë, ku tre hajdutë shqiptarë janë përplasur me armë zjarri me forcat e policisë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit dy prej shqiptarëve kanë mbetur të plagosur ndërsa më pas të tre janë arrestuar.
Ata thuhet se janë autorë të disa grabitjeve ndërsa policia kishte kohë që u vëzhgonte. Ndërkohë sipas të dhënave të policisë greke, një nga shqiptarët u përpoq të shpëtonte nga arrestimi duke u hedhur nga një shkëmb, duke u plagosur në këmbë, ndërsa dy të tjerët morën plumba në këmbë.
Në operacionin për kapjen e shqiptarëve u përdorën edhe helikopterë të forcave speciale të Greqisë. Të tre shqiptarët udhëtonin me makinën e tyre por sa kanë parë policinë kanë hapur zjarr. Brenda makinës janë gjetur pushkë, kallashnikov si dhe disa fishekë. Kjo bandë sipas mediave greke kanë grabitur një bankë në Kalamata gushtin e kaluar dhe armët u përdoren edhe në rastin kur ata kryen këtë krim.
Deklarata përkatëse e lëshuar nga Policia Greke:
“Sot (08-02-2020), në mesditë, gjatë një operacioni policor të Drejtorisë së Atikës së Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në Korintin e Lashtë, u arrestuan tre kriminelë të armatosur të rrezikshëm, të përfshirë në grabitje të armatosur. Tre kriminelët qëlluan ndaj oficerëve të policisë ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën, duke plagosur dy prej autorëve. Njëri i plagosur u trajtua në Spitalin Thriassian dhe tjetri në Spitalin Corinth. Do të pasojë një azhurnim më i ri”. /e.s/