Partia Socialiste ka nisur përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë Kombëtare që pritet të zgjidhen nga Kongresi më 29 shkurt. Këtë gjë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, i cili tregon se ky proces po zhvillohet në të 12 qarqet e vendit.
Balla thekson se norma e përfaqësimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS që zgjidhen nga Kongresi është një anëtar i AK për 800 anëtarë partie dhe se garantohet përfaqësimi i barabartë i gjithë territorit të vendit si dhe të bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë.
“Teksa procesi i riorganizimit të Partisë Socialiste vijon, në të 12 qarqet e vendit po zhvillohet këtë fundjavë një proçes demokratik dhe transparent në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë Kombëtare që do të zgjidhen nga Kongresi Zgjedhor i PS më 29 Shkurt.
Propozimet e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare bëhen nga 1510 delegatët e Kongresit të PS, duke respektuar parimet barazisë gjinore, meritokracisë profesionale dhe politike, integritetit moral e ligjor si dhe me vëmendje të veçantë promovimi i të rinjve, si qasje e përhershme e Partisë Socialiste.
Norma e përfaqësimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS që zgjidhen nga Kongresi është një anëtar i AK për 800 anëtarë partie. Propozimi dhe votimi i kandidaturavë për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste garanton përfaqësimin e barabartë të gjithë territorit të vendit si dhe të bashkë-atdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë nëpër botë”, shkruan Balla. /e.s/