“Corriere della Sera” intervistoi ish-presidentin e Milanit, Silvio Berlusconi, sepse fjala e tij ka shumë peshë në prag të derbit të radhës të Madoninës. Këtu janë disa nga deklaratat e tij: “Derbi më i mirë për mua? Ishte gjysmëfinalja e dyfishtë e Ligës së Kampionëve në vitin 2003. Ne eliminuam Interin në Milano dhe pastaj mundëm Juventusin në finalen e Manchesterit”.
Në vazhdim të intervistës, “Kavalieri” përsëriti për herë të pestë besimin e tij kuqezi, duke mohuar një herë e përgjithmonë legjendën e lashtë, që e pikturon atë si mbështetës të Interit, para se të bëhej president:
“Unë i kam mohuar gjithmonë këto thashetheme. Jam rritur si tifoz i Milanit, në një familje milaniste”. Po ashtu, ish-presidenti ndalet te derbi i famshëm, i fituar 6-0. Berlusconi mohon ta ketë festuar atë triumf: “U luajt të premten, në prag të zgjedhjeve politike. Unë isha në Romë, i angazhuar në mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore. Ishte një paraqitje e mirë nga Milani. Natyrisht, isha i lumtur me fitoren, por iu ankova trajnerit për rezultatin e tepërt. Sepse në futboll, pasi rezultati të sigurohet me një diferencë të konsiderueshme golash dhe ta kesh lojën në dorë, është e kotë dhe e padrejtë ta tupërosh kundërshtarin”, tha ai.
Nga faqet e “Gazzetta dello Sport”, Ricky Kakà, ndër të tjera, foli për momentin historik të Interit dhe Milanit: “Të dyja klubet kanë ndryshuar pronarë, kanë pasur edhe probleme ekonomike e menaxhuese. Unë shoh që situatat janë përmirësuar. Mbi të gjitha, unë shpresoj që pronarët e rinj të Milanit dhe Interit të investojnë ashtu siç duhet, për t’u rikthyer në krye. Momenti tani është. Interi dhe Milani janë ekipe historike. Milano është një qytet i bukur, Italia është një vend i mrekullueshëm.
Të dyja skuadrat milaneze dua t’i shoh në fazat e “nokaut”-it, ose në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Me pjesëmarrjen në Champions mund të blihen lojtarë të shkëlqyeshëm dhe të ktheheni në krye. Nesër mbrëma pres një derbi, ku do të shohim Milanin e vërtetë. Një ndeshje e tillë mund të japë një nxitje të madhe për të dyja skuadrat. “San Siro” është mësuar me shfaqje të tilla të mrekullueshme. Parashikimi? Shënon Ibra, pastaj le të shpresojmë…”
g.kosovari