Diferenca në renditje (19 pikë), vlera e përgjithshme e skuadrave dhe merkatoja e dimrit mund të sugjerojnë një derbi të Madoninës me pothuajse asnjë histori, të dielën në mbrëmje. Por, derbi, siç ju e dini, është histori më vete, nuk ngjason dhe as krahasohet dot me ndeshjet e tjera. Rivaliteti është aq i madh në ndërqytetase të tilla, sa tifozët respektivë preferojnë më mirë të fitojnë derbin se titullin. Motoja është e njohur: deri fitohet, nuk luhet! Të tilla përballje, pavarësisht situatës momentale të skuadrave të të njëjtit qytet, janë mundësia më e mirë për t’i “shkatërruar” pritshmëritë dhe parashikimet.
STATISTIKA TË FAVORSHME
Ato të Inter-Milan, të paktën në vitet e fundit, tregojnë për një epërsi të qartë të zikaltërve. Ata janë të pamposhtur prej 7 derbesh radhazi, ndërkohë që kanë fituar 3 të fundit (1-0 në tetor 2018, 3-2 në mars 2019 dhe 2-0 në ndeshjen e parë të këtij sezoni, në shtator). Një mal për t’u ngjitur nga Milani, që gëzimin e fundit në një ndërqytetase nuk e mban mend fare. Në fakt, kanë kaluar më shumë se 4 vjet që prej fitores së fundit të kuqezinjve në derbi, sa i përket Serie A. Më konkretisht, jo ndodhi më 31 janar 2016, kur Alex, Bacca dhe Niang i dhanë skuadrës së drejtuar nga Sinisa Mihajlovic suksesin 3-0. Suksesi tjetër në çerekfinale të Kupës së Italisë daton më 27 dhjetor 2017. Kuqezinjtë e Gattuso, me një gol të shënuar nga Cutrone, i eliminuan kushërinjtë zikaltër në kohën shtesë. Ata pushtuan gjysmëfinalen, por pastaj humbën 4-0 ndaj Juventusit.
GRUPI HISTORIK
Epo, në këto dy sukseset e fundit të kuqezinjve në derbi, është një grup lojtarësh, nga Donnarumma te Romagnoli, përmes Bonaventura, Kessie dhe Biglia, të cilët do të jenë në fushë, në “San Siro”, kundër Interit të Conte të dielën në mbrëmje. Stefano Pioli, përveç Ibrahimovic të rikuperuar, do të përpiqet t’iu përmbahet zgjedhjeve taktike, duke besuar te përvoja e atyre që tashmë e kanë fituar një lojë kaq delikate dhe dinë ta bëjnë sërish këtë. Dhe mbase, kush e di, edhe pse statistikat nuk duken aspak miqësore me kuqezinjtë, derbi i shkurtit i buzëqesh më shpesh Milanit.
g.kosovari