Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme, ka kurorëzuar operacionin e koduar “Abuzuesit e detyrës 2”, duke pezulluar nga detyra shtatë punonjës policie, të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi kanë fshehur krime të ndryshme, mes tyre edhe kultivim të lëndëve narkotike.
Pas një hetimi disa mujor, nën drejtimin e Prokurorisë u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së kundraligjshme të subjekteve të këtij procedimi.
Efektivët e policisë dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Punonjësit e policisë kryenin funksione të ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në Drejtorinë e Policisë Durrës.
Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike.
Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara, Gjykata e Krujës caktoi masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme; S.D., Ndihmës/specialist për Rendin; M.C., Ndihmës/specialist për Rendin; N.S., Ndihmës/specialist për Rendin; K.D., Ndihmës/specialist për Rendin; D.S., Ndihmës/specialist për Rendin dhe F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.
Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.
g.kosovari