Hannes Swoboda ka qenë ndër eurodeputetët mjaft aktivë për shumë vite përsa i përket çështjeve të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Aktualisht ai është president i Institutit Ndërkombëtar për Paqe dhe ndodhet në Tiranë për të diskutuar me të rinj pjesëmarrës nga vendet e rajonit për alternativa të reja për Ballkanin Perëndimor.
Në një takim më herët me këta të rinj të vendeve të rajonit një ditë më parë (6.2.2020) diskutuam mbi atë se çfarë mund dhe duhet të bëjë rinia ballkanase për të bashkëpunuar në vendin e tyre por dhe me vendet fqinje në kuadër të integrimit.
Gjatë kësaj bisede mundëm të shkëpusim një intervistë të z. Swoboda lidhur me aktualitetin në Shqipëri, Ballkan dhe metodologjinë e re të Bashkimit Evropian për Zgjerimin. Për politikanin evropian thelbësore është që metodologjia e re do të përmirësojë imazhin se qytetarët janë më të fortë e më të qartë se çfarë ka bërë dhe çfarë jo qeveria për integrimin.
Swoboda ka qenë pjesë e përpjekjeve të evropianëve për të ndërmjetësuar në krizat politike në Shqipëri, dhe ka qenë një ndër aktorët politikë e darkës së famshme tek restorant “Krokodili” në Strasburg në vitin 2010, kur Rama në opozitë atëkohë dhe Berisha në qeveri tentonin të zgjidhnin ngërçin politik në vend. Por sipas Swobodës, nëse metodologjia e re e BE-së që tashmë parashikon dhe sanksione do ti bëjë më të përgjegjshëm politikanët shqiptare, ai thotë se ka 15 vjet që e shpreson këtë.
Z. Svoboda një koment tuajin për metodologjinë e re të Bashkimit Europian për zgjerimin.
Unë mendoj se metodologjia e re është një hap i mirë para me shpresën për të lehtësuar rrugën për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Do të jepte gjithashtu një lloj justifikimi për Francën, Holandën e ndoshta Danimarkën, në të drejtën e tyre të ndalnin çeljen e negociatave. Tani ata që u shqetësuan mund të bien dakord. Mendoj se “de facto” do të ishte një hap i mirë për të shtyrë vendet para. Do të jetë mirë, për shembull, për ish-qeverinë e Maqedonisë ta përdorin këtë mjet për t’i dhënë një sinjal të qartë qeverive dhe qytetarëve për atë që po ndodh, sepse mendoj se elementi më i rëndësishëm dhe që mungon ende, është dialogu mes qeverisë dhe qytetarëve mbi progresin apo jo progresin e bërë. Ky dialog është shumë i dobët. Dhe metodologjia e re mund të përmirësojë mesazhin se qytetarët janë më të fortë dhe më të qartë për atë se çfarë ka bërë dhe çfarë jo qeveria.
Serbia dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e kësaj metodologjie të re, duke qenë se kanë nisur tashmë bisedimet për negociatat. Si mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet mes shteteve në Ballkan?
Mendoj se është pak e vështirë për proceset që kanë nisur tashmë të kenë një kthim pas për të ndryshuar. Por sigurisht të paktën “de facto” e bën të qartë këtyre vendeve se i njëjti parim do të zbatohet dhe për ta. Nuk do të ketë hapa pas formalisht, por së paku do të ndalë ndonjë lloj negocimi. Prandaj mendoj se mund të adaptohet për procese që kanë nisur me procedurën e re pa ndryshuar formalisht procedurën që ka nisur tashmë. Por mendoj se për të gjithë vendet e bën të qartë se nëse zbatimi nuk bëhet, ose nuk është bërë mjaftueshëm le të themi i dukshëm, nuk do të ketë anëtarësim. Dhe kjo është ajo që realisht nuk është bërë në vitet e mëparshme. Kujtoj Rumania, Bullgaria nuk mund të parashikosh, sigurisht, se pas disa vitesh qeveria do të ndryshojë, parlamenti jonë po ndryshon disa ligje. Por megjithatë lufta e Komisionit Europian ndaj disa ligjeve në Hungari, e veçanërisht në Poloni është shumë e rëndësishme pasi qytetarët në disa vende ankohen se jeni shumë strikt ndaj vendeve tuaja anëtare. Por kur ti je anëtar, mjeti mbetet ende i dobët, prandaj është shumë i rëndësishëm të mendohet përfshirja e qytetarëve, OJQ-ve, veçanërisht brezi i ri në procesin e negocimit dhe bisedimet për anëtarësim. Mendoj se kjo është më e nevojshme. Kontrolli i qeverive dhe parlamenteve duhet të jetë nga të dy anët, nga Komisioni, Këshilli, Parlamenti Europian dhe nga qytetarët, pasi janë ata që ndjejnë efektin real të zbatimit të tyre.
Duke i ndjekur zhvillimet në Shqipëri, si e shihni ligjin antishpifje që për momentin ka stopuar derisa të shprehet Komisioni i Venecias?
E kam ndjekur debatin, dhe kam parë që nga Parlamenti Europian ka ardhur një mesazh që nuk është i mirë dhe duhet të ndalet. Mendoj se kjo është e rëndësishme. Kjo është një çështje kritike në disa vende. Por mendoj se duhet të jetë më intensiv ose t’u japë, le të themi udhëzime apo ndryshime të sjelljes në disa media, si e trajtojnë ata politikën, apo a bëjnë kërkime serioze dhe jo të ndjekin thashetheme. Duhet edukim dhe trajnime për të dhënë një kuadër objektiv sa më shpejt të jetë e mundur. Hulumtimi dhe studimi është më i rëndësishëm se sa mjetet ligjore. Mjetet ligjore duhet të jenë hapi i fundit që duhet përdorur. Por sërish, le të shpresojmë që Komisioni i Venecias të bëjë një interpretim të qartë për të sqaruar dhe për të dhënë këshilla çfarë duhet ndryshuar dhe më pas ligji të kalojë. Ajo që do të ishte e mirë, do të ishte që disa ligje të kishin bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës. Dhe kjo do të thotë, sigurisht që opozita të kthehet në Parlament. Nuk është kurrë gjë e mirë, ndonjëherë bëhesh viktimë e një çështje të brendshme duke dalë nga Parlamenti dhe ky mund të jetë një mesazh i qartë për të tjerë. Por mendoj se nuk është kurrë e mirë për demokracinë. Këtë e kemi thënë gjithmonë. Nuk mund të kesh një ide evropiane dhe ta zbatosh atë të themi kur të vish në qeveri. Në thelb do të thotë të ulesh në një tavolinë dhe të diskutosh e të zgjidhësh çështjes së bashku.
Mund të jetë reforma zgjedhore një shembull për këtë që thatë?
Po. Reforma zgjedhore do të ishte mirë të ishte e përbashkët nëse bazohet në parimet demokratike dhe jo në atë që dy parti të mëdha, ju e dini, rregullojnë diçka nën tavolinë dhe pastaj thonë “OK, jemi dakord”. Por nëse është një reformë zgjedhore që promovon vendime demokratike, atëherë është shumë e mirë. Dhe kjo mund të bëhet vetëm së bashku. Reforma zgjedhore që bëhet vetëm nga një anë do të shihet dhe interpretohet gjithmonë si një miks reformash që favorizon njërën palë kundër palës tjetër. Ajo që ka ndodhur për shembull në Hungari dhe Poloni, është totalisht e papranueshe dhe kundër frymës së Bashkimit Evropian, të bëhet e njëanshme. Epo, është një shumicë e përhershme dhe afatgjatë dhe kjo nuk është rruga e aspiratave demokratike të një vendi.
E fundit, duke pasur marrëdhënie kaq të gjatë në Shqipëri dhe duke njohur politikanët shqiptarë a mendoni se metodologjia e re “do u vërë fre” këtyre politikanëve të jenë më të përgjegjshëm, duke pasur parasysh sanksionet që parashikon kjo metodologji?
Unë kam shpresuar që të jenë më të përgjegjshëm, kam pasur shpresa gjithë kohën në 15 vitet e fundit. Vetëm disa prej tyre janë realizuar dhe shpesh kanë qenë zhgënjyese. Por unë mendoj se duhet gjithashtu një brezi ri. Brezi i ri nuk është një provë apo të themi një mënyrë që çon automatikisht në politikanë të rinj. Por mendoj se brezi i ri duhet të ketë një mentalitet të ri, duhet të shkëputet nga këshillat apo presioni i më të vjetërve dhe të nisë një rrugë të re. Problemi nuk është për liderin e demokratëve apo socialistëve. Problemi është që të rinjtë të kenë një punë, të kenë një të ardhme për vete dhe të rrisin fëmijët e tyre në një mjedis të shëndetshëm. Të kenë mbështetje sociale dhe të kenë të ardhura në rritje për të ndjerë se duhet të jetojnë këtu dhe jo për të menduar të largohen. Këto janë programet dhe shumë prej tyre politike, në fakt./ tirananews.al