Nga Frrok Çupi
Presidenti Donald Trump u lirua nga akuzat për shkarkim nga posti, në gjyqin e Senatit në Shtetet e Bashkuara. Tre muaj bota ka mbajtur frymën ‘pro’ dhe ‘kundër’ si në gjyqin e Prometheut… Liria ndodhi mbrëmë vonë.
Çfarë po ndodh që mbrëmë e më tej këtu dhe rreth nesh pas ‘çlirimit’ të njeriut më të fuqishëm dhe më të suksesshëm të globit?
E para, çfarë pritej të ndodhte?
Në zyrat e shtetit tonë, ‘më e mira’ do të ishte që paragjyqi i Trump të ndodhte përjetësisht; ose presidenti të shkarkohej- aq më mirë. Në Tiranë punët kryesore të piramidës së shtetit janë përtokë. Nëse nuk lirohej Trump, as këto nuk do të ngriheshin kurrëmë. Do të zvarritej Drejtësia si një ‘buçë’ e ardhur nga Parku ku ishte dhunuar nga të gjithë meshkujt e llojit të vet. Po të mos ngrihej tani, nuk do të ngrihej kurrë. Vrasësit, kriminelët, mafiozët, mashtruesit dhe liderët që i bënë të gjitha- do të shkëlqenin edhe për 100 vjet. Pas 100 vjet, mbi varret e secilit do të shkruhej “Hero i Kombit”.
Hija më e afërt e shtetit: Presidenti i Republikës sot për sot është vetëshpallur ‘viktimë si Trumpi!’, ndërsa më vonë do të ishte ‘Hero i Kombit”. Presidenti i Shqipërisë ndodhet nën ‘impeachment’ alias shqiptar- gjë që i ka dhënë guximin të vetëshpallet ‘trumpist’. Njëmijë herë i ka shkuar mendja t’u thotë gazetarëve: ‘Hë, më!? Po ju çfarë doni? A nuk jemi bashkë me Trump nën akuzë?!’.
Por që dje në mbrëmje këtu janë ngatërruar të gjitha fijet e ‘heroizmit’.
Që dje e deri në fund, lidershipi i vjetruar i shtetit e ndjen se nuk ka më vend. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën presidencën e Trump, ka përqendruar vëmendjen në rajonin tonë të ndotur në ‘swamp-n’ më të rëndë të botës moderne. Do të thahet moçali, pastaj do të shëndetësohet qytetaria, pastaj do të modernizohet shteti dhe individi… Trump erdhi nga ‘zemra e botës’, jo nga kastat politike’. Këta nuk i ngjajnë atij në asgjë. Askush nuk e mirëpriti ardhjen e Trump; madje edhe pas datës 9 Nëntor 2016 këta hapnin fjalë se ‘do ta largojnë’. Deri mbrëmë, kur Trump u lirua, këta kishin shpresë se do ta shikonin të therur si Prometheun.
Çfarë pritej të ndodhte në rajon?
Kosova zgjodhi një kryeministër majtist në ekstrem, kundër frymës dhe doktrinës së Trump. Zgjedhja nuk gjykohet… Marrja e postit ndodhi dy ditë para ‘ndëshkimit të Prometeut’, si të ishte komplot universal; dhe këtu ishte shpresa e lidershipit të ri. Edhe kryeministri i Shqipërisë, pak para se të votohej Trump pat deklaruar se sikur të zgjidhet ‘është një fatkeqësi’. Por kryeministri i Shqipërisë u besua si një nga aleatët kryesorë të Amerikës së Trump në Ballkan, dhe si i vetmi aleat në Shqipëri.
Çfarë do të ndodhë me qeverinë ‘anti- Republikë’, anti- perëndimore dhe anti- konservatore të Kosovës? A mund të kthehesh nga një ‘guerilas’ në një politikë moderne si e Trump?! Kjo është e pamundur. Doktrina e Trump ka nisur të funksionojë edhe pse qeveria ka sloganin anti- amerikan. Tani pritet firma e kryeministrit mbi marrëveshjen me Serbinë, mbi heqjen e taksës me Serbi e Bosnjë…, ndoshta edhe mbi korrigjimin e kufijve… ‘Patriotët’ sidomos në Tiranë, mallkojnë gjyqin në Senat që liroi Donald Trump.
Ditën e 6 shkurtit (sot) këta e kishin menduar si ‘6 shkurt 1967’ kur Shqipëria u zgjua pa kisha e pa xhami, pa shenjtëri. Liderët e Demokracisë janë komunistët e atëhershëm, si këtu edhe në Kosovë. Shpresonin se 6 shkurti do të ishte pa ‘Zotin’ Trump.
veritas.com.al