Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë në Këshillin e Atlantikut, ku ka folur për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, si dhe për aksionin e bujshëm të nisur në fillim të kësaj jave, të cilësuar si “Anti-KÇK”.
Kreu i qeverisë shqiptare ka vijuar me deklaratat e forta kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke thënë nga përtej detit se ata jo vetëm bashkëpunojnë me krimin e organizuar, por janë pjesë e krimit.
Ndërsa sa i takon operacionit “Forca e Ligjit”, ose “Anti-KÇK”, Rama tha se po bëhet diçka e guximshme, ku po verifikohen të gjitha pasuritë e personave të botës së krimit.
“Kemi gjyqtarë dhe prokurorë që jo thjesht bashkëpunojnë me krimin e organizuar, por janë pjesë e krimit. Ndaj na u desh të prisnim me durim momentin kur të punonim në një terren, ku policia nuk do të poshtërohej, kur i referonte çështje prokurorisë dhe gjykatës. Tani kemi zyrën e SPAK, që është ngritur për këtë qëllim. Kemi dhe Gjykatën e Posaçme për krimet e rënda. Këto çështje do gjykohen nga persona që kanë kaluar Vettingun. Me ndihmën dhe nxitjen e miqve amerikanë hartuam një akt ligjor, që quhet ligji për dekriminalizimin, ku ka një kontroll të imtësishëm për të gjithë, të cilët nuk mund të zgjidhen, nëse kanë të shkuar kriminale.
Prokurorë që nuk justifikojnë pasuritë e tyre do të dalin jashtë sistemit dhe mund t’iu nënshtrohen padive e kontrolleve në të ardhmen. Ajo që po bëjmë është e guximshme, të gjithë ata që janë dënuar për trafikim droge, qenie njerëzore, apo pjesëmarrje në çdo lloj veprimtarie të lidhur me terrorizmin apo vrasjen, duhet të vërtetojnë që shtëpia, biznesi, automjetet, toka, vijnë nga puna, jo nga aktivitetet e paligjshme. Policia ka apo duhet thjesht të raportojë bazuar në një listë të mbyllur. Nuk është diçka që e zgjedh sipas dëshirës, është një situatë, ku të gjithë duhet të përgjigjen.
Policia dërgon një dokument, i kërkon subjektit të plotësojë një formularë brenda 48 orëve, dhe më pas është SPAK që do duhet të shqyrtojë dokumentet. Më pas, të kërkojë sekuestrim brenda 15 ditëve. Pasuritë sekuestrohen dhe më pas ka një proces të rregullt deri në 6 muaj, që vendos nëse do konfiskohen pasuritë apo jo. Është thjesht një verifikim administrativ, ku do duhet vërtetuar pasuria. Nëse nuk e vërteton dot, kaq ishte”, u shpreh kryeministri. /e.s/